Kreu i Antimafias: Nga Shqipëria po vijnë sasira të mëdha droge

Sasia e madhe e drogës e kapur kohët e fundit në brigjet e Italisë sjell në Tiranë kryeprokurorin e Antimafias së Leçes, Cataldo Motta. Kreu i Antimafias italiane zhvilloi dje paradite një takim të mbyllur me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Pas takimit dy orësh në Prokurorinë e Përgjithshme Motta tha se, nga Shqipëria po vjen sasi më e madhe droge. Sipas tij, situata e drogës është e tillë që në këto momente duhet një bashkëpunim më i madh se më parë.
Kreu i Antimafias italiane ka zhvilluar një takim edhe me drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj. Gjatë takimit është diskutuar edhe për çështje konkrete të hetimeve të përbashkëta. Bëhet e ditur se, gjatë takimit, Shefi i Krimeve të Rënda prokurori Hajdarmataj, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Leçes dhe përfaqësuesit e Interforcës në Shqipëri, të dorëzojnë edhe në Prokurori raportin e fluturimeve, filmimet dhe fotografimin e parcelave të hashashit në territorin tonë. Gjithashtu, mësohet se në takim është diskutuar edhe për rastet konkrete, të parandalimit të trafikut të drogës me gomone dhe avionë të vegjël.
Pas takimit nga oborri i Prokurorisë, kreu i Antimafias së Leçes, theksoi faktin se, Guardia di Financa italiane ka kapur sasi të mëdha droge, duke kërkuar që fenomeni i trafikut të luftohet që në Shqipëri. “Janë kapur sasi të mëdha kanabisi në brigjet italiane. Ky fenomen duhet që të luftohet që në Shqipëri. Bashkëpunimi është i nevojshëm. Kemi bërë një verifikim për çështjet që lidhen me prokuroritë e dy vendeve. Hetimet do të vijojnë”, u shpreh Motta.
Kreu i Antimafias italiane tha se, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka ofruar bashkëpunim të mirë. Motta nuk ka pranuar të flasë për çështje të veçanta që janë nën hetim, siç është çështja e avionit të rënë në Ishëm që drejtohej nga italiani Guido Guidi. “Jam i vjetër, por një gjë që besoj është bashkëpunimi. Kemi bërë një verifikim të hetimeve që i kemi të përbashkëta. Hetimet që po kryhen janë për sasitë e drogës së kapura në brigjet italiane, por edhe dosje të tjera, për të cilat nuk mund të flas. Situata është e tillë që duhet një bashkëpunim më i madh se më përpara. Drogë më shumë është kapur në Itali gjatë kësaj periudhe”, përfundoi Motta.
Si për ironi të fatit, në kohën kur Kryeprokurori i Antimafias, Cataldo Mota fliste para Prokurorisë së Përgjithshme, Policia italiane në zonën e Leçes një sasi prej rreth 1 ton hashash dhe një kallashnikov dhe fishekë. Sasi kjo që mendohet se është trafikuar me gomone nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.
Një ditë me parë, prokurori i Antimafias së Leçes është takuar edhe me ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. Mësohet se është vënë theksi në bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Kreu i Antimafias italiane i ka kërkuar ministrit të Brendshëm që të forcohen kufijtë për të parandaluar trafikun e drogës.
Policia e jugut të Italisë ka kapur javët e fundit mbi 2 ton drogë që shkon nga Shqipëria ndërkohë që fluksi i trafikut po vjen gjithnjë e në rritje.

Mediat italiane: 15 ton drogë në tre muajt e fundit nga Shqipëria

Trafiku i drogës dhe armëve nga Shqiëpria ka alarmuar Italinë. Sipas mediave italiane, gjatë tre muajve të fundit, Guardia di Finanza ka sekuestruar rreth 15 ton hashash që janë trafikuar nga Shqipëria në Itali në rrugë të ndryshme, tokësore dhe ajrore. Ndërsa Antimafia italiane dhe mediat përtej Adriatikut japin alarmin për tonelatat e drogës që futen nga Shqipëria, Rama mohon dhe fsheh gjithçka. Kryeministri shqiptar mundohet të fshehë një realitet të hidhur të kanabizimit të vendit, ndërsa mediat ndërkombëtare publikojnë çdo ditë lajme për Shqipërinë, që është kthyer në furnizuesen e Europës me kanabis. Mediat italiane, greke, gjermane dhe BBC japin alarmin për hashashin shqiptar që po mbulon vendet e tyre. Ndërsa Rama sërish mohon dhe thotë se nuk ka drogë, edhe pse mbarë Europa është e shqetësuar.
Italia tashmë duket e shqetësuar për ndryshimin e rrugës së trafikut, specializuar së fundi përmes ajrit me avionë të vegjël që kanë shpejtësi të madhe. “Repubblica” në një shkrim të para disa ditëve raportonte se linja e trafikut ajror të drogës nga Shqipëria po shqetëson Italinë, duke theksuar se trafikantët kanë pikat e tyre të zbritjes në Bari dhe Brindisi. Sipas autoriteteve italiane, tani linjat ajrore me avionë të vegjël dy vendësh që janë të aftë të udhëtojnë distanca të gjata, janë shtuar.
Shifrat flasin qartë, në Portin e Barit janë rritur sekuestrimet dhe kjo nuk është thjesht rastësi. Me rritjen e alarmit nga terrorizmi janë shtuar edhe masat në dogana, e për këtë grupet kriminale duhet të ndryshonin strategji.
Hetimet e konfirmojnë; me deltaplane dyvendëshe, të aftë të përshkruajnë distanca të gjata me shpejtësi të mirë ka dalë në dritë rruga e re e trafikut mbi Adriatik. Në shkrim përmendet rasti i sekuestrimit të 3 kuintalëve e gjysmë marijuanë që erdhi nga Shqipëria me avion.
Ndërkohë që në shtator u bllokua në Vercelli një sipërmarrës që kishte edhe licencë për fluturim që arriti të dërgonte në veri një sasi të madhe drogë. Në mars erdhi konfirmimi tjetër, po për trafik droge me avionë. Ndërkohë në Bari autoritetet në drejtimin e gjeneral Vincenzo Papuli, kanë konstatuar raste të shumta të sekuestrimeve të armëve prodhim sovjetik, të gjitha të mbërritura nga Shqipëria.
Mijëra euro vetëm në një javë, shqiptarët i qarkullonin me drogë
Policia italiane ka publikuar të dhëna rreth operacionit “Toka Jonë”, ku u arrestuan 14 tutorë shqiptarë që shfrytëzonin të paktën 20 femra për prostitucion. Sipas mediave italiane, mijëra euro vetëm në një javë, shqiptarët i qarkullonin me drogë. Ky grup kriminal shqiptarësh shfrytëzonte vajza të reja nga lindja në rrugët e Milanos, të cilat i kishin vendosur si territorin e tyre dhe e kishin quajtur “Toka jonë”.
“La Repubblica” shkruan se ishte kjo shprehja që i bëri efektivët e policisë të godisnin një rrjet që zgjaste prej vitesh. 14 persona janë vënë në pranga për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik ndërkombëtar droge, e cila vinte nga Shqipëria, por edhe nga Holanda. Hetimet nisën në janar 2015, kur edhe policia ra në gjurmë të këtij rrjeti kriminal, i cili shfrytëzonte vajza të reja rumune, moldave dhe çeke.
“Në qoftë se 1.500 euro në javë do ju duken pak, vetëm shumëzojini për njëzet vajzat që ky grup kishte nxjerrë për të prostitutuar”, tha kreu i hetimeve Lorenzo Bucossi teksa ka dhënë detaje lidhur me operacionin policor në Itali.
Ai ka thënë se banda me 14 shqiptarë, fitonin 1500 euro nga një vajzë që prostituonte vetëm në një javë, deri në 12 mijë euro në muaj. Sipas hetuesve, këto para më pas investoheshin në trafikun e kokainës që vinte me makinë nga Holanda. Gjatë operacionit të koduar “Toka Jonë”, policia ka sekuestruar rreth 7 kg kokainë dhe 3 kg marijuanë fshehur në disa pako oriz në një apartament që përdorej nga një nga të arrestuarit.

R.POLISI

Artikulli paraprak1 ton drogë dhe armë nga Shqipëria në Leçe
Artikulli tjetërMinistri i Jashtëm grek: Droga e krimi, kushte shtesë për Ramën më 12 dhjetor