Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka refuzuar takimin e kërkuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me krerët e partive shqiptare në Maqedoni.
Mediat në Maqedoni njoftuan se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ftuar në takim në Tiranë liderët e katër partive politike shqiptare dhe dje ka takuar liderin e Lëvizjes Besa, Bilal Kasami dhe liderin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela, ndërsa pritej të takonte edhe kryetarët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi.
Dje Rama, pas takimit me krerët e partive politike në Maqedoni, tha: “Meqë Maqedonia është në përfundim të një procesi zgjedhor, shqiptarët duhet të përfitojnë nga ky rast për t’i përgëzuar të gjithë të zgjedhurit pa përjashtim, por ata shqiptarë në mënyrë të veçantë se ata do të gjejnë forcën të çojnë një axhendë përpara për të bashkëjetuar demokratisht me maqedonasit, për ta rivendosur në axhendat e tyre partiake Marrëveshjen e Ohrit, si emërues i përbashkët dhe të kërkojnë me një zë që programi i qeverisë së re, të futet në kornizën e Marrëveshjes së Ohrit.
Partitë shqiptare në Maqedoni nuk janë të detyruara të pajtohen me gjithçka, por janë të imponuara nga interesi i shqiptarëve, që të flasin me një zë për të vetmen gjë që nuk mund të ndahen”.