Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Alfred Rushaj, në një prononcim për mediat deklaroi se, seanca e sotme duhet të ishte normale, por u shkel rregullorja me të dyja këmbët.
Rushaj th ase, do të ndjekim çdo rregullore në lidhje me vendimin për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlemantar i Partisë Demokratike.
DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, ALFRED RUSHAJ
Sot duhej të ishte një seancë rutinë, normale e kuvendit, ku secila prej forcave politike duhej të zinte vendin e vet në komisionet parlamentare për të bërë detyrën e vet në këtë Kuvend. Për fat të keq, që në seancën e parë me të dyja këmbët u shkel rregullorja. Dhe u shkel për çfarë?
U shkel rregullorja për të zvogëluar hapësirën e përfaqësimit të opozitës së Kuvend. Kjo është e papranueshme, kjo është diçka që nuk duhet ta bëjë askush. Prandaj i bëjmë thirrje së pari kryetares së Kuvendit, së dyti grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të zbatojnë rregulloren. Nuk mundet që në asnjë mënyrë të zvogëlojnë hapësirën e përfaqësimit të opozitës në Kuvend.
Nuk mundet dhe nuk do ta bëjnë që të zvogëlojnë zërin e opozitës në Komisionet Parlamentare. Detyra jonë është të marrim pjesë atje, të ngremë zërin e qytetarëve dhe të bëjmë opozitën. Ne do të ndjekim çdo rregullore, por ajo çfarë unë jam sot këtu për të thënë, është që Partia Socialiste nuk mundet dhe nuk do ta lejojmë që në mënyrë të hapur të shkel rregulloren.
Nuk kemi pasur komunikim me LSI, pranuam kërkesën e LSI që ata të mund të marrin kohë në këtë seancë që dhe ata të zënë vendin e tyre. Kjo ishte kërkesa jonë që u refuzua nga Partia Socialiste.
Ju faleminderit!