Kreu i Kontrollit të Lartë Shtetëror (KLSH), Bujar Leskaj është takuar në Uashington me drejtues të lartë të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO), përkatësisht me James-Christian Blockwood, drejtor i Planifikimit Strategjik dhe i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Janet St. Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim. Në fokus të takimit ka qenë bashkëpunimi ndërinstitucional mes vendeve.
Leskaj dhe dy përfaqësuesit e lartë të GAO-s diskutuan fushat e bashkëpunimit me Qendrën e Ekselencës në trajnime afatgjata e afatshkurtra të audituesve shqiptarë, veçanërisht për Auditimin e Performancës dhe të IT, si edhe në sferën e Planifikimit Strategjik 2018-2022. Kryetari i KLSH shprehu vlerësimin e tij për ndihmën e deritanishme nga GAO dhe vullnetin e strategjinë e KLSH-së në këto vite për thellimin e bashkëpunimit. Ai i informoi drejtuesit e GAO-s për treguesit e institucionit shqiptar të auditimit në këto vitet e fundit, në fushën e kapaciteteve audituese dhe në thellimin e luftës kundër korrupsionit për përmirësimin e qeverisjes publike. Drejtuesit e GAO-s vlerësuan arritjet e KLSH-së, sidomos treguesit e mbulimit me auditime, gjetjet për mirëadministrimin e Buxhetit të Shtetit, kallëzimet penale, indeksin e dobishmërisë në auditim, etj.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia që kanë çështjet e etikës dhe integritet për Institucionet Supreme të Auditimit dhe në këtë kontekst. Leskaj citoi një pjesë të leksionit, “Etika dhe integriteti në auditim: një parakusht për mirëqeverisje”, të mbajtur nga Audituesi i Përgjithshëm i GAO, Dodaro në “Shoqërinë Amerikanë për Administratën Publike”, ku theksohet se “….etika dhe integriteti janë të lidhur pazgjidhshmërisht me auditimin në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes. Këto standarde kanë ndikime konkrete tek puna e GAO-s dhe audituesit tanë. Për t’u shprehur më thjesht, etika dhe integriteti janë parësore për GAO-n. Në fakt, integriteti është një nga tre parimet kryesore të GAO-s. Dy të tjerat janë llogaridhënia dhe besueshmëria….”.
Në përfundim, Leskaj shprehu vlerësimin e tij për Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA dhe veçanërisht për Audituesin e Përgjithshëm të saj, Gene L. Dodaro që përgatitën strategjinë e zhvillimit të INTOSAI-t për periudhën 2017-2022, të cilën e lançuan në Kongresin e XXII të INTOSAI-t, në Abu Dhabi, me synimin për të rritur kontributin e SAI-ve në përforcimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin financiar publik në të gjithë botën.