Sot më 20 prill 2023, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu priti në mjediset e KLSH-së, Ambasadorin Britanik në Shqipëri, z. Alastair King – Smith. Në këtë takim Ambasadori Britanik shoqërohej edhe nga këshilltarja politike, znj. Artela Mitrushi.
Z. Shehu e falenderoi Ambasadorin Britanik për takimin dhe shprehu vlerësimet e tij për
marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy vendeve. Më tej z. Shehu paraqiti një
ekspoze të punës së institucionit të KLSH-së, fushat me interes të veçantë, si dhe vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim parandalimin në kohë të fenomeve negative.
Nga ana e tij z. King – Smith shprehu gjithashtu falenderimet dhe vlerësimet e tij për bashkëpunimin e ndërsjellë duke e vënë theksin tek forcimi i demokracisë, veçanërisht
institucioneve të pavarura, nëpërmjet kulturës së llogaridhënies si një objektiv thelbësor.
Ambasadori, duke evidentuar cilësinë e raporteve të auditimit, theksoi rolin e KLSH-së, jo vetëm për natyrën profesionale dhe rëndësinë që këto raporte kanë për institucionet specifike, por edhe se ato shërbejnë si një burim tepër i besueshëm informacioni për median dhe publikun duke ofruar transparencë.
Z. Shehu dhe z. King – Smith shprehën angazhimin e tyre të plotë për të thelluar më tej
bashkëpunimin e dyanshëm në identifikimin e fushave me interes të përbashkët dhe forcimin e kapaciteteve.