Kreu i Konrad Adenauer: Mbështetje masive studentëve, Shqipëria në protesta

Protesta e studentëve shqiptarë ka qenë në qendër të raportimeve nga radio publike gjermane, DeutschlandFunk. Ata kanë intervistuar drejtuesin e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, Walter Glos.
I pyetur fillimisht nëse protestat do mbeten paqësore apo do ketë dhunë, ai thotë se ‘kjo është e vështirë për t’u parashikuar’.
‘Kjo varet para së gjithash nga mënyra se si do i trajtojë qeveria kërkesat e studentëve. Dje kam biseduar me studentë dhe organizata rinore dhe ata po përpiqen që t’i mbajnë organizimet dhe protestat të qeta dhe paqësore’.
I pyetur se kush i ndezi protestat e studentëve, Glos thotë: ‘Protestat lindën pas pakënaqësive të shumë studentëve, që duhej të paguanin tarifa të larta për provimet e mbetura. Përveç kësaj, tarifat për shkollimin janë tepër të larta. Nëse e krahasoni me Gjermaninë, mund ta kuptoni këtë’.
Por sa të larta janë tarifat?
‘Këto ndonjëherë shkojnë deri në 2600 euro për një vit, dhe në një vend me pagë mesatare nga 300 deri në 3500 euro, kjo është shumë e shtrenjtë, prandaj ne kemi dhënë bursa këtu.

Studentët shpesh qajnë kur përzgjidhen për bursa, sepse e ndjejnë veten me fat nëse marrin bursë nga një fondacion politik gjerman’.
I pyetur se sa përkrahje ka në vend protesta, Glos thotë se përkrahja është masive.
‘Kur del në rrugë dhe pyet njerëzit, se çfarë mendojnë, nuk kam takuar qoftë edhe një person të vetëm që thotë se nuk i mbështet studentët. Papritur në mbarë vendin ka protesta, kundër çmimeve të larta të ushqimeve, karburantit, naftës, që është më e shtrenjtë se në Gjermani, siç mund ta kuptoni, ka një atmosferë të madhe protestash në vend’.
Por a i është përkushtuar qeveria zgjidhjes së problemit të papunësisë së të rinjve dhe eksodit, pasi shumica dërrmuese duan të ikin nga vendi?
‘Ajo duhet ta adresojë sepse të gjithë e dinë se në pesë vitet e fundit janë larguar më shumë se 400 mijë të rinj nga vendi dhe në një popullsi me 3 milion banorë, kjo është një shifër tepër e lartë dhe tregon se kjo temë duhet marrë seriozisht, ndryshe do kemi një qeveri, por nuk do kemi popullsi’.

Exit mobile version