Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaron se Prokuroria e Posaçme nuk bashkëpunon dot me Policinë e Shtetit për krimin e organizuar.
Sipas Dumanit, mungesa e bashkëpunimit në këtë fushë vjen për shkak të rezultojnë policë të përfshirë në nivele të larta.
“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta”, tha Dumani.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion gjatë analizës vjetore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, tha se vlera e pasurive konfiskuara e sekuestruara të mbërrin një vlerë në total prej 41 mln euro, nga të cilat 54 % të sekuestruara, pjesa tjetër të konfiskuara.
Sipas Dumanit, gjatë vitit të shkuar, janë regjistruar 221 procedime penale për korrupsion. Sipas tij, 67 procedime janë nisur kryesisht nga SPAK, 139% më shumë se viti paraardhës.
Kreu i SPAK theksoi se janë regjistruar 8 procedime penale me 18 të pandehur për zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë ish-ministra, ish-kryeministra, ish-kryebashkiakë, apo ish-sekretarë të përgjithshëm.
Dumani thekson se ka një rritje me 95% të kërkesave për ndihmë juridike nga vendet e huaja. “Gjatë vitit 2023, janë ngritur 10 skuadra të reja të përbashkëta, ndërsa hetimet vijojnë me 25 skuadra të përbashkëta hetimore. Ka një rritje me 95% të kërkesave për ndihmë juridike me jashtë shtetit, kryesisht me Italinë, Franca, vendet nordike si dhe me vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut apo Kosova”, theksoi ai.