Kryetari i PS-së së Lushnjës dhe kreu i policisë lokale u kapën gjatë procesit të votimeve duke blerë vota. Denoncimi u bë nga qytetarët, njëri prej tyre publikoi në rrjetet sociale një video ku pamjet e blerjes së votave ishin të qarta. Në video duket se si policët takohen me kreun e PS-së së Lushnjës dhe u ofrojnë zgjedhësve para në këmbim të votës për PS-në.
Blerja e votave nga Partia Socialiste u zbulua edhe në qendrat e votimit nr.2884 dhe nr.2884/1 në lagjen “Kongresi” në qytetin e Lushnjës. Një qytetar deklaroi se i kishin dhënë 20 mijë lekë dhe i kishin marrë kartën që të mos votonte.
Kryetari i PD Lushnjë, Myslim Murrizi denoncoi të dielën blerjen e votave në qendrat e votimit në Divjakë nga punonjësit e Bashkisë Divjakë. “Punonjësit e Bashkisë Divjakë para qendrës së votimit me listë pagese në dorë”, deklaroi Murrizi. Administrata e Bashkisë Divjakë qëndronte me lista në dorë para qendrave të votimeve, ndërsa policia nuk ndërhynte.
Kryesuesi i PS presion komisionerëve
Kryesuesi i listës së PS në Shkodër, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, është futur në një qendër votimi të ngritur pranë Shkollës Pyjore dhe u ka bërë presion komisionerëve. Bushati është futur edhe në disa qendra votimi të tjera në Shkodër, duke krijuar tension tek komisionerët. Menjëherë kanë reaguar kandidatët e partive të tjera, të cilët kanë kërkuar që Bushati të procedohet penalisht.
Komisionerja e PS “thyen” kutinë e votimit
Në një nga Qendrat e Votimit në Korçë, një komisionere socialiste ka kthyer përmbys një kuti votimi për të zbuluar nëse një punonjës i administratës kishte votuar për PS-në. Ajo ka marrë një vizore dhe e ka futur në kuti për të nxjerrë votën e punonjësit të administratës.
Video u publikua nga kandidati për deputet i PD, Ervin Salianji, i cili deklaroi gjatë një prononcimi për mediat se, gruaja në video quhet Pranvera Begolli dhe ajo kërkon të zbulojë votat e punonjësve të administratës. “Nuk kanë fund turpet dhe skandalet e “Rilindjes”. Në video komisionerja e Partisë Socialiste, Pranvera Begolli, duke nxjerrë fletët e votimit për të verifikuar nëse votuesi që punon në administratë ka votuar për PS ose jo?!”, shkruante Salianji.
Kërcënohet me jetë nënkryetarja e KZAZ
Nënkryetarja e KZAZ në Cërrik është kërcënuar me jetë gjatë procesit të votimit. Bëhet e ditur se, në qendrën e votimit të fshatit Shalës, Cërrik, votimi u ndërpre për disa minuta. Shkak u bë një incident jashtë qendrës së votimit. Nënkryetarja e KZAZ-së nr.46 shtetasja M.M., ishte thirrur për një çështje pune nga Komisioni i Qendrës së Votimit. Por ajo jashtë ambienteve të qendrës është kërcënuar me fjalë nga shtetasi Y.P., banues në fshatin Shalës, që kishte shkuar për të votuar.
Një incident ka ndodhur në një QV në Berat, ku dy persona Gazmend Elezi dhe Edmond Hoxha, janë zënë me njëri-tjetrin. Sherri ka ndodhur për arsye banale, ndërkohë Gazmend Elezi, efektiv policie, i cili kishte shkuar për të votuar ka rrahur me grushte dhe ka gjakosur Edmond Hoxhën. Efektivi i policisë, është pezulluar nga detyra.
R.POLISI