Krimet e fashizmit dhe të komunizmit

Nga Kastriot Dervishi

Ka një prirje për të barazuar krimet e ideologjive totalitare të fashizmit e të komunizmit (duke i quajtur njësoj), për t’i dhënë vlerë të veçantë antifashizmit, por për analogji për të mos përmendur si vlerë të veçantë antikomunizmin. Në Shqipëri, si në kohë e në pasoja, komunizmi rezulton shumë herë më i dëmshëm se sa fashizmi. Ndërsa persekutorët e komunizmit kanë luajtur shpesh me kartën e antifashistit. Disa argumente:
-Komunizmi ishte 46 vjet në pushtet, ndërsa fashizmi vetëm 4 vjet.
-Komunizmi ndërtoi një sistem kampesh e burgjesh, ndërsa fashizmi ndërtoi vetëm kampin e Porto-Romanos, ndonjë burg të ri si i Tiranës dhe shfrytëzoi ato burgje që gjeti. Të burgosurit politikë janë në shifra simbolike të krahasuar me ato të komunizmit.
-Komunistët internonin fëmijë, gra e pleq në kampe tela me gjemba, fashistët nuk merreshin me to. Kampet e internimit të fashizmit, edhe në Itali, janë krejt më ndryshe nga kampet e komunizmit, të cilat konkurrojnë me ato të nazizmit.
-Komunizmi vetëm vitin e parë në pushtet, atë 1945, dënoi me vdekje rreth 500 persona, ndërsa fashizmi për 4 vjet dënoi vetëm 9 persona.
-Komunizmi shtetëzoi, konfiskoi, shpronësoi pronën pa shpërblim; fashizmi nuk ndryshoi gjendjen e pronës, por kur duhej shpronësoi me shpërblim (përjashto këtu një pjesë të vogël konfiskimesh për qëllime politike ndaj zogistëve).
-Komunizmi izoloi dhe ndaloi qarkullimin e njerëzve; fashizmi lejoi qarkullimin e lirë.
-Komunizmi ndaloi zhvillimin e tregut të lirë; fashizmi lejoi zhvillimin e tregut të lirë.
-Komunizmi persekutoi egërsisht shqiptarët e ardhur nga Kosova dhe Çamëria; fashizmi nuk u pa të kishte qëndrim të keq ndaj tyre.
-Komunizmi ndaloi fenë dhe persekutoi klerin, ndërsa fashizmi as e ndaloi dhe as e persekutoi klerin.

Exit mobile version