Krimet e pasionit që tronditën Shqipërinë! Një popull që po përballet me pasojat e tragjedive emocionale

Në vitin 2024, krimet e pasionit kanë tronditur Shqipërinë, duke nxitur debat mbi arsyet dhe mënyrat e parandalimit të këtyre incidenteve.

Ky fenomen social dhe psikologjik, i nxitur nga konflikte të brendshme, xhelozi dhe mungesë mbështetjeje, ka ndikuar jo vetëm tek individët e përfshirë, por edhe në shoqërinë e gjerë.

Rasti më i fundit u shënua ditën e sotme, ku Ilir Çami qëlloi me thikë ish-të dashurën e tij Manderina Çela. Plagosja me thikë u regjistruar në vendin e njohur si “Trekëndëshi” në qytetin e Korçës, ndërkohë që u mësua se Çami ka qenë edhe më parë i arrestuar për përndjekje të Çelës.

Pak kohë më parë një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua po në qytetin e Korçës, ku Bledar Trëndafili i hodhi lëndë djegëse gruas së tij 31-vjeçare e më pas i vendosi zjarrin. Edhe në këtë rast, bashkëshorti nuk e pranonte ndarjen nga nëna e fëmijëve të tij duke zgjedhur një rrugë më të shpejtë për të kënaqur egon e tij.

Gjatë këtij viti, disa raste të krimeve të pasionit kanë bërë bujë në media dhe kanë prekur thellë opinionin publik.

Por rastet kur njëri partner qëllon tjetrin për të vendosur “vetëgjyqësinë” e presupozuar nuk janë të vetmet.

Një nga zonat më të populluara të Tiranës, Komuna e Parisit u trondit nga të shtënat me armë të një efektivi policie që lanë të plagosur 45-vjeçarin Lorenc Kosta me origjinë nga Berati e banim në kryeqytet, punonjës në Enti Rregulator të Energjisë (ERE).

Pak pas masditës Erjon Goxhara, efektiv në drejtorinë e Kufirit në Laprakë, qëlloi me pistoletën e shërbimit 45-vjeçarin, kalimtar në trotuar, pranë një marketi te rreth-rrotullimi i Komunës së Parisit.

Policia tha zyrtarisht se plagosja ka ndodhur për ‘motive të dobëta’, por mediat thanë se ka dyshime që 45-vjeçari kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e efektivit. Në kundërpërgjigje, Erjon Goxhara, me origjinë nga Memaliaj dhe me banim në zonën e Ali Demit në Tiranë, e ka qëlluar me armë. Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja.

Por cilët janë faktorët e mundshëm që nxisin krimet e pasionit?

Këto raste të tmerrshme nxjerrin në pah faktorë të përbashkët që nxisin krimet e pasionit. Konfliktet e rënda emocionale, xhelozia dhe mungesa e mbështetjes psikologjike shpesh janë të pranishme në këto krime. Disa raste përkeqësohen edhe nga varfëria dhe presioni i madh ekonomik që mund të shkaktojë tension në marrëdhëniet personale.

Sipas ekspertëve, mungesa e arsimimit mbi menaxhimin emocional dhe e ndihmës psikologjike janë ndër shkaqet kryesore që çojnë individët drejt këtyre veprimeve të dhunshme. Në disa raste, njerëzit që përjetojnë tension të fortë emocional ose që janë në varësi të partnerit të tyre ndihen të pafuqishëm për të kërkuar ndihmë ose për të shpëtuar nga situata toksike.

Krimet e pasionit kanë një ndikim të thellë mbi familjet e viktimave dhe shoqërinë. Ato krijojnë një ndjenjë të përhapur frike dhe pasigurie dhe shpeshherë sfidojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe mbrojtjes sociale. Familjet e viktimave përballen jo vetëm me dhimbjen e humbjes, por edhe me stigmën dhe vështirësitë financiare që pasojnë.

Institucionet kanë reaguar ndaj këtyre krimeve me përpjekje për rritjen e ndërgjegjësimit në publik, por shumë mbetet për të bërë në drejtim të ofrimit të shërbimeve të mbrojtjes dhe mbështetjes psikologjike.

Organizatat joqeveritare, së bashku me institucionet shtetërore, kanë rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e menaxhimit të emocioneve dhe marrjes së ndihmës në rastet e konflikteve të thella personale. Janë shtuar fushatat në mediat sociale dhe janë hapur qendra këshillimi në qytetet kryesore për të ndihmuar individët dhe çiftet të përballojnë stresin emocional dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në dhunë, por deri më tani nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Rastet e fundit të krimeve të pasionit në Shqipëri gjatë vitit 2024 janë një kujtesë e nevojës për t’u përballur me çështjet e menaxhimit emocional, ndërgjegjësimit shoqëror dhe ndihmës për shëndetin mendor. Përmes përpjekjeve të përbashkëta nga institucionet, organizatat dhe komuniteti, është e mundur të krijohet një mjedis më i sigurt dhe më mbështetës për të gjithë individët, duke parandaluar kështu krime të tilla tragjike dhe duke përmirësuar mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë./alfapress.al

Exit mobile version