Krimet e Rënda “heqin” dorë nga hetimi i grabitjes në Rinas, dosja sërish në Krujë

Prokuroria për Krime të Rënda kthen për hetim në Prokurorinë e Krujës, dosjen e punonjësve te Rinasit dhe të kompanisë private të sigurimit fizik, që u arrestuan pas grabitjes së bujshme të ndodhur brenda pistës së aeroportit. Sipas akuzës, të arrestuarit: Arben Karafili, Bledar Blloshi, Kujtim Picari dhe Fadil Jonuzaj, dyshohen për shpërdorim detyre, vepër kjo që nuk është kompetencë e Prokurorisë për Krime të Rënda. Për të dyshuarit nuk ka prova se janë bashkëpunëtorë me grabitësit e parave dhe për këtë fakt dosja e tyre t’i kalojë Prokurorisë së Krujës. Ky vendim i prokurorit, bëri që edhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda të refuzojë lirimin e tyre, me arsyetimin e moskompetencës për një vendim të tillë. Të 4 të arrestuarit dyshohet se duke qenë në role të ndryshme nuk kanë marrë masa për të evituar grabitjen e një shume mjaft të madhe parash brenda pistës së aeroportit.
Më 2 gusht, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën për gjykimin e masave të sigurisë së të arrestuarve për skandalin e super grabitjes së ndodhur në Aeroportin e Rinasit disa javë më parë. Apeli i Krimeve të Rënda ka vlerësuar se akuza që ka ngritur Prokuroria për të arrestuarit, nuk është kompetencë e saj. Duket se pas kësaj lëvizje, 5 të arrestuarit janë në prag të lirimit nga burgu.
Pak javë më parë, pasi kishte arritur në përfundimin se, grabitja në Rinas është vepër e një grupi të stukturuar kriminal, Prokuroria e Krujës shpalli moskompetencën dhe e dërgoi dosjen për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. 4 nga të arrestuarit janë me masën e sigurisë arrest me burg dhe njëri në arrest shtëpie, masë që u është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre pas vjedhjes së 960 mijë eurove në një bankë të nivelit të dytë në Aeroportin e Rinasit. Çështja u mor në hetim nga Prokuroria dhe Gjykata e Krujës, që i la në arrest me burg drejtorin teknik të aeroportit, Vangjel Nikolla 3 punonjësit e kompanisë private ICTS në Rinas, Bledar Blloshmin, Arben Karafilin, Fadil Jonuzajn si dhe për shoqëruesin e vlerave monetare, Kujtim Picari. Por kjo gjykatë shpalli moskompetencë, duke ia kaluar çështjen Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda verifikoi masat dhe 4 nga të arrestuarit i la në burg dhe la në arrest shtëpie drejtorin teknik të aeroportit, Vangjel Nikolla.

Artikulli paraprakZhvatje e fondeve të Bashkisë Dibër për fushatën e PS
Artikulli tjetërUdhëzimi i Tahirit fut në kolaps proceset gjyqësore