Krimet e Rënda nisin hetimet për blerjen e votave në Dibër

Prokuroria për Krime të Rënda regjistroi kallëzimin penal të Partisë Demokratike për akuzat e blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve në Dibër.
Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal, pasi kallëzimi është me emra dhe persona konkretë, me pretendimin se blejnë vota dhe kanosin qytetarë për të votuar kandidatin e majtë si grup i strukturuar kriminal.
Sipas, “ABC News” mësohet se dosja është regjistruar nga prokurori Gentian Trenova, i cili ka nisur edhe verifikimet konkrete të të dhënave të pasqyruara në kallëzimin e PD, sipas të cilit një grup drejtuesish partiakë dhe zyrtarë shtetërorë në Dibër kanë marrë përsipër blerjen e votave në zgjedhjet vendore të datës 11 shtator. Këta persona, sipas kallëzimit të PD-së, funksiononin si një grup i strukturuar kriminal që përveç parave përdorin edhe kërcënimet ndaj votuesve në Dibër për llogari të kandidatit të majtë Muharrem Rama. Bëhet e ditur se me regjistrimin e kallëzimit penal që është me emra të personave konkretë, hetuesit kanë nisur verifikimet me metoda speciale të fakteve të pretenduara nga PD-ja. Mësohet se të gjithë personat e përmendur në kallëzim do t’i nënshtrohen një hetimi me metoda speciale për të parë nëse qëndrojnë apo jo pretendimet e opozitës.
Kallëzimi i selisë blu është bërë pak ditë më parë, kallëzim të cilin e njoftoi për mediat kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Sipas kallëzimit, Dionis Ymeri me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër është personi përgjegjës i ngarkuar me sigurimin e fondeve financiare për blerjen e votave.
Shtetasit Afrim Milli, Arben Keshi, Agron Malaj, Ylli Mikli, Spartak Koltraku, Nuri Meta, Qamil Leta zyrtarë të administratës të ndryshëm, janë ngarkuar me shpërndarjen e parave për votuesit. Shtetasit Jetmir Lleshi, Dritan Gjeci dhe Sonila Braha janë personat, që kanë marrë përsipër duke kanosur punonjësit e administratës publike, si mësuesit, punonjësit shëndetësorë e të bashkisë që të votojnë për kandidatin e majtë. Nga ana tjetër, PD pretendon në kallëzim se shefi i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga duke shfrytëzuar pozicionin e tij, kërcënon qytetarët, urdhëron arrestimin e personave që nuk sigurojnë vota për kandidatin e majtë. Të gjithë këta persona, sipas kallëzimit, janë përfshirë në skemën kriminale të blerjes së votave dhe kërcënimin e votuesve në Dibër.

Faktet e skemës kriminale

Me emra të përveçëm, Partia Demokratike ka renditur faktet se si prej mbi disa javësh ky grup po ushtron presion tek votuesit në Dibër duke aplikuar skemën kriminale të blerjes së votës, por edhe të kanosjes direkte të qytetarëve dibranë. Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjes e zgjedhjeve në Dibër. Në kallëzimin penal, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë këta kriminelë të votës së lirë, të veshur me pushtet nga Edi Rama dhe lidhjet e tij kriminale. Konkretisht, nga të dhënat e mbledhura nga banorët e këtyre zonave, rezuton se shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave, si dhe është duke realizuar veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në zonat e Sllovës dhe Kalasë së Dodës. Ky shtetas rezulton nga verifikimi dhe raportimet e banorëve të zonës, se ka marrë kontakt me qytetarë të ndryshëm të kësaj zone, duke ofruar para në këmbim të votave për kandidatin e ASHE, z. Muharrem Rama. Gjithashtu, ky shtetas furnizon me mjete financiare edhe personat e mëposhtëm, që janë të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër. Nga ana tjetër, pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal janë edhe 3 persona që mbajnë funksione publike dhe të angazhuar në veprimtarinë kriminale të kanosjes së zgjedhësve, kryesisht punonjësve të administratës publike, ku përfshihen, por pa u kufizuar, punonjësit e arsimit dhe ato të shëndetësisë. Konkretisht, ushtrimi i presionit ndaj zgjedhëve, në formën e kanosjes.

Rastet flagrante

Përpjekjet e bandës së Ramës për të vjedhur votat u intensifikuan ditët e fundit para zgjedhjeve. Mbrëmjen e së premtes, banorët e zonës kanë kapur në flagrancë në fshatin Pilaf, një grup kriminal prej 7 personash me në krye administratorin e Tominit, Nuri Meda, duke blerë vota për kandidatin socialist Muharrem Rama.
Administratori u pikas nga vetë banorët, duke shpërndarë lekë për blerje votash. Banorët thonë gjithashtu se, administratori socialist po blinte votat nën mbikëqyrjen e furgonit të policisë. Pas këtij incidenti, përfaqësues të Partisë Demokratike që ndodhen në terren për të parandaluar rastet e blerjes së votës, pasi kanë marrë informacion se çfarë po ndodhte, kanë bërë denoncim në Prokurori ndaj administratorit Nuri Meda dhe ndaj shefit të komisariatit Robert Aga.
Shtabi elektoral i Partisë Demokratike mori informacion për shpërndarjen e parave nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë të administratës publike, nën mbrojtjen dhe shoqërimin e policisë së drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga.
Kështu, në fshatin Pilaf, Komuna Tomine u kapën nga banorët duke shpërndarë lekë për blerje votash administratori i Tominit, Nuri Meda së bashku me Shefki Ademin në makinën X5 e zezë, AA909KH, nën mbikëqyrjen e furgonit të policisë me targa POLICIA 0788 me përgjegjës Robert Aga.
Nuri Meda dhe Robert Aga janë kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në Prokurori më datë 1 shtator si anëtarë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës.
Në fshatin Allabegi, Komuna Maqellarë: Urim Beçaj, djali i kryeplakut Petrit Beçaj është kapur duke shpërndarë para. Në Komunën e Sllovës: Xhezair Fejza, drejtor i shkollës 9-vjeçare Sllovë dhe Astrit Sulejmani janë kapur nga banorët duke shpërndarë para në fshatin Shumbat, njësia administrative Sllovë. Qamil Lata nga Staraveci është kapur nga banorët duke shpërndarë lekë te Shkolla Bujqësore. Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, po i  jepnin mbulim dhe mbështetje këtij krimi elektoral.

Banda e të inkriminuarve dhe funksionarëve publikë për blerjen e votave

1. Afrim Mikli, kryetar i PS Dibër, bashkëpunëtor i ngushtë i shtetasit Ymer Lala, person i njohur për precedentë të mëparshëm penalë, së bashku dhe veç e veç, kryejnë veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Muhrrit dhe Selishtit;
2. Arben Keshi, drejtor i Qendrës së Mbyllur për të Huajt e Parregullt në Republikën e Shqipërisë, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Maqellarës;
3. Agron Malaj, drejtor Rajonal i OSHEE për Veriun kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Peshkopisë;
4. Ylli Mikli, administrator i njësisë administrative të Muhurrit, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Muhurrit;
5. Spartak Koltraka, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Kastriotit;
6. Nuri Meta, kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të caktuara të Bashkisë Dibër;
7. Qamil Leta, person me precedentë penalë, eksponent i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), kryen veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zonën e Kalasë së Dodës.

Funksionarët publikë

1. Jetmir Leshi, mjek, me detyrë anëtar i Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë së Kufizuar (KEMP);
2. Drini Gjeci, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore në Bashkinë Dibër;
3. Sonila Braha, me detyrë drejtore e Shërbimit Social;
4. Robert Aga, shef i Komisariatit të Policisë Peshkopi.

Arben Shahini

Artikulli paraprakFesta e Kurban Bajramit i gjen shqiptarët të varfëruar: Nuk kemi me çfarë të festojmë
Artikulli tjetërAzemi, simboli i qendresës dhe përmbysjes