Edhe Kryeministri Rama është përfshirë sot në sulmet ndaj dy dëshmitarëve kundër Fatmir Xhafës për kohën kur ai ka qenë hetues në Krujë në kohën e diktaturës. Dy dëshmitarët kanë treguar torturat që hoqën prej tij para vitit 1990, tortura që i janë bashkangjitur akuzave politike për ta. Në atë kohë njëri prej tyre Xhavit Seferi ka qenë në atë kohë 16 vjeç dhe Valbona Maloku.
Por disa media kanë publikuar sot jetëshkrimin e tyre, duke i përfshirë ata në disa akte kriminale disa prej të cilave edhe janë gjykuar dhe të tjera janë thjesht shënime të oficerëve të lagjes apo ndonjë informatori të shërbimit policor apo sekret. Dosjet janë botuar pa referenca çfarë hedh dyshim të madh mbi vërtetësinë e tyre. Edhe Kryeministri e gjen justifikimin e emërimit të Xhafës pikërisht në këto informacione që kanë dalë një javë, pasi ai ka propozuar Fatmir Xhafën ministër të Brendshëm. Lexo investigimin që ta tregon se kush janë heronjtë e çadrës, sepse po nuk lexove nuk di as të shkruash shqip, pastaj bëhesh edhe papagall i çadrës”, i është përgjigjur Kryeministri një qytetari që e ka pyetur se pse bëri Xhafën ministër. Edhe nëse Xhaviti dhe Valbona janë bërë kriminelë të mëdhenj pas vitit 1990, kjo nuk ka lidhje fare me torturat që kanë hequr ata më herët. As njëri, as tjetri nuk kanë qenë të inkriminuar kur u torturuan politikisht nga ministri Xhafa. Dosja e tyre e mëvonshme nuk shkarkon fajin e ministrit, për të cilin ata që publikuan dosjen e dëshmitarëve duhet të kenë menduar se i doli përpara të keqes, torturoi ca persona që do të bëheshin kriminelë pas dhjetë viteve.
Dëshmia e tyre dhe veprimi kriminal i Xhafës kanë ndodhur shumë më herët. E vetmja gjë që mund të thuhet në këtë rast është se, rrahja dhe tortura e Xhafës ka ndikuar përgjithmonë në personalitetin e tyre. Ata kanë të drejtë ta hedhin në gjyq edhe për vijimësinë e vështirë të jetës së tyre pas ndëshkimeve fizike të hetuesit. Veprimet e tyre nuk implikojnë fare dëshminë dhe as ngjarjet që ndodhen në zyrën e hetuesit të diktaturës, se nuk ndodh që një ngjarje e mëvonshme të ndikojë një ngjarje që ka ndodhur shumë më parë. Prandaj frymëzimi i Ramës pas publikimit pa referenca të Endri Fugës në dy-tre gazeta apo portale nuk zhbën hetuesin nga akti kriminal, por ia lë në dorë Ramës të ndajë ministrin e tij nga hetuesi, duke fshirë emrin e Xhafës nga lista e ministrave.
Droni.al