Krimet kanë dalë jashtë kontrollit/ Bilanci tragjik në pak ditë trondit Shqipërinë

Numri i vrasjeve dhe plagosjeve është rritur ndjeshëm muajt e fundit në Shqipëri dhe ajo që e bën më tragjike këtë gjë, është fakti se po shtohen rastet ku protagonistët e ngjarjeve të tilla të rënda janë të mitur dhe adoleshentë.

Një bilanc i realizuar nga Alfapress.al ka analizuar me detaje vrasjet, plagosjet, atentatet e ndodhura në vendin tonë në gjysmën e parë të këtij muaji.

Sipas raportit situata paraqitet tepër shqetësuese tek adoleshentët në shkolla, ku përplasjet mes tyre kanë rezultuat fatale deri në humbje jete, siç ishte ngjarja e rëndë e ndodhur para dy ditësh, ku humbi jetën tragjikisht nxënësi 14-vjeçar.

Më poshtë Alfapress.al paraqet ngjarjet kriminale të ndodhura në ditët e fundit në vendin tonë:

30 Tetor 2024

Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën dhe mbarë vendin, mesditën e 30 tetorit që rezultoi në 4 viktima.

Viktimë mbeti Hamza Lici, i cili është vëllai i Ibrahim Licit, një emër i njohur në botën e krimit.

Por tragjedia nuk mbaron këtu!

Veç Licit, mbetën të vrarë edhe tre persona të tjerë. Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, që ishte kandidat për Bashkinë e Shkodrës në vitin 2023, nën siglën e PD.

32-vjeçari ishte në makinë me Licin në momentin e ngjarjes dhe mori një plumb në kokë. Disa orë më vonë ai ndërroi jetë në spital.

Nga ngjarja humbi jetën edhe Flutura Basha, 56 vjeç, ndërsa disa ditë më vonë ndërroi jetë edhe bashkëshorti i saj, Bashkim Basha 67 vjeç.

Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha.

4 nëntor 2024

Një 18-vjeçare është vetëplagosur me armë zjarri në lagjen “Liri Gero” në Fier.

E reja me iniciale A. G., është transportuar menjëherë në Spitalin e qytetit .

“Rreth orës 17:30, shtetasja A. G., rreth 18 vjeçe, banuese në Fier, është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, e dëmtuar me armë zjarri, jashtë rrezikut për jetën (paraprakisht dyshohet se është vetëplagosur me pistoletë).

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit.”– njofton policia.

Ajo është dëmtuar në pjesën e barkut, por fatmirësisht ka mbërritur në kohë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

5 nëntor 2024

Sherr me thika në Durrës, i riu çahet në vetull, arratiset autori

Dy të rinj janë konfliktuar fizikisht mbrëmjen e 5 nentorit në lagjen nr. 6 të Durrësit, ku sherri ka degraduar deri në përdorimin e thikës nga njëri prej tyre.

Burime bëjnë me dije se dy të rinjtë kanë qenë nën efektin e alkoolit dhe kanë debatuar me njëri-tjetrin për motive banale. Më pas njëri prej tyre ka qëlluar me thikë tjetrin duke i shkaktuar një çarje në vetull.

Banorët e zonës kanë dërguar të riun e dëmtuar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është mjekuar për plagën në vetull.

6 nëntor 2024

Krim pasioni në Korçë/ E plagosura ish-partnere e autorit

Një plagosje me thikë ka ndodhur në afërsi të zonës së quajtur Trekëndëshi në Korçë.

Në konflikt janë përfshirë autori dhe ish-partnerja e tij e cila raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën pasi ka marrë dëmtime në mjekër.

Shkak i konfliktit ka qënë ndarja mes tyre ku sipas informacioneve autori ka qënë i dënuar më parë edhe për përndjekje.

Autori ka qenë duke kaluar në rrugë në lagjen 4 të qytetit, kur ish-partnerja e tij e ka ndaluar dhe i ka kërkuar të mos vazhdojë ta ndjekë më.

Në atë moment, konflikti është agravuar dhe Ilia Cani ka nxjerrë thikën duke e plagosur ish partneren.

Sipas informacioneve, autori Ilia Cani ka qenë i dënuar më parë edhe për përndjekje.

6 nëntor 2024

Shpërthim në një banesë në Tiranë/ Thyhen xhamat e katit të tretë të një banese private

Sipas policisë, shpërthimi ka qenë i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë janë thyer xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private. Banesa ku u dëgjua shpërthimi është në pronësi të shtetasit Aranit Beqiraj.

“Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 06.11.2024, rreth orës 19:50, në rrugën “Robert Naci”, në oborrin e një banese në ndërtim në pronësi të shtetasit A. B. është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë janë thyer xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

7 nëntor 2024

Goditi me thikë një person për motive të dobëta, arrestohet 30-vjeçari në Durrës

Një 30-vjeçar është arrestuar në qytetin e Durrësit, pasi ka goditur me thikë një person.

Sipas njoftimit të policisë shkak i konfliktit dyshohet të jetë për motive të dobëta. I lënduari, shtetasi me iniciale N.Sh., 35-vjeç, është jashtë rrezikut për jetën.

“Komisariati i Policisë Durrës arrestoi shtetasin L. Sh., 30 vjeç, banues në Durrës, sepse pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin N. Sh., 35 vjeç, banues në Durrës, i cili është jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftimin e policisë.

8 nëntor 2024

Sherr me thikë në Gjirokastër, 21-vjeçari dërgohet me urgjencë te Trauma, në kërkim autori

Mbrëmjen e 8 nëntorit, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Gjirokastër, është paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi L. H., 21 vjeç, banues në lagjen “Kodra e Shtufit”, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi L. Dh., 29 vjeç, banues në Fier, e ka goditur me mjet prerës (thikë).

21-vjeçari u dërgua për mjekim më të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë.

10 nëntor 2024

Shpërthim me eksploziv në derën e një banese në Shkodër

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 nëntorit në Shkodër.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tre heronjtë” në qytetin e Shkodrës, ku persona ende të paidentifikuar kanë hedhur në oborrin e një banese eksplozivin.

Për fat të mirë nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

11 nëntor 2024

E rëndë në QSUT/ 36-vjeçari kanos infermierin dhe kundërshton efektivët

Një 36-vjeçar në Tiranë ka rënë në prangat e Policisë, pasi ka kanosur një infermier në QSUT dhe ka kundërshtuar efektivët e Policisë.

Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se personi i arrestuar është 36-vjeçari me inicialet A.M.

12 nëntor 2024

Eksploziv në bankomatin në afërsi të Kalasë, panikosen banorët në Krujë

Një shpërthim eksplozivi i vendosr në një bankomat në afërsi të Kalasë ka terrorizuar Krujën në orët e para të së martës së 12 nëntorit.

Policia Krujë/Informacion paraprak

Më datë 12.11.2024, rreth orës 02:45, pranë një bankomati në afërsi të Kalasë (në rrugë), është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.

12 nëntor 2024

E rëndë/ Nxënësit sherr me thika në shkollën 9-vjeçare të Tiranës, 14-vjeçari përfundon në spital

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 14-vjeçar është plagosur me thikë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Kolë Jakova”, ku i mituri është qëlluar me thikë pas një sherri me një bashkëmoshatar.

Ndërsa janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për autorin.

12 nëntor 2024

Sherr me thika para gjimnazit në Korçë, tre persona plagosin me thikë adoleshentin

Një sherr me thika ka ndodhur mes adoleshenteve jashtë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në qytetin e Korçës.

Njëri prej tyre ka shkuar në spitalin rajonal të Korçës për ndihmë mjekësore pasi ka dëmtime në fytyrë ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Korçës ka shoqëruar disa prej adoleshteve të përfshirë në këtë ngjarjes.

Rreth orës 13:20, në lagjen nr. 10, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi R. Ç., 21 vjeç dhe 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjet prerës (thikë) dhe me përforcues grushti, një shtetas 16 vjeç.

13 nëntor 2024

Atentat tek Rruga Elbasanit, vritet ndërtuesi 52 vjeçar, ish drejtues në SHISH

Eduart Reçi, një biznesmen 52 vjeç u qëllua pak para mesnatës së 14 nëntorit me plumb në kokë, teksa ndërroi jetë në spital disa orë pas ngjarjes.

Reçi ishte babai i dy djemve dhe ishte sipërmarrës në fushën e ndertimit. Po kështu mësohet se 52-vjeçari ka punuar para shumë vitesh në SHISH.

Në momentin e atentatit, 52-vjeçari Eduart Reçi ka qenë i vetëm dhe se po qendronte në këmbë jashtë pallatit të tij në lagje.

Policia ka kryer veprimet hetimore dhe po punon për identifikimin e autorëve, teksa janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati.

15 nëntor 2024

Shpërthim tritoli në shtëpinë e të moshuarës në Orikum

Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar panik te banorët e Orikumit.

Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 02:00, në Orikum, në verandën e banesës së shtetases Elansi Bello, 68 vjeçe, dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse artizanale.

Për pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale, ndërkohë që grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

15 nëntor 2024

Tjetër shpërthim me lëndë plasëse në Tropojë

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e 15 nëntorit në fshatin Mserr, në afërsi të banesës së shtetasit A. P.

Sipas informacionit të policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 22:30 dhe ka shkaktuar dëme të vogla materiale në ambientet e jashtme të banesës.

Për fat të mirë, nuk ka pasur të lënduar nga shpërthimi.

17 nëntor 2024

Shpërthim në një studio muzikore në Kamëz

Një shpërthim ka ndodhur në një godinë në Kamëz, e cila ishte përshtatur si studio muzikore.

Policia thotë se kjo studio është në pronësi të shtetasit A.A, ndërsa paraprakisht dyshohet se shpërthimi ka ndodhur me lëndë plasëse.

Si pasojë, blutë e kryeqytetit thonë se ka vetëm dëme materiale.

18 nëntor 2024

E rëndë në Tiranë/ Sherr me thika mes 4 nxënësve pranë shkollës ‘Fan Noli’! 14-vjeçari ndërron jetë pas goditjes në zemër, autori dhe një tjetër në spital!

Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën, ku një 14-vjeçar mbeti i vdekur pas një sherri me thika mes adoleshentës pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’. I mituri humbi jetën në spital ndërkohë që shoku i tij Luis Meçja është ende duke marrë ndihmë mjekësore. Në një spital privat ndodhet dhe një adoleshent tjetër, i cili dyshohet të jetë autori, ndërsa tjetri është shoqëruar nga policia.

Sherri mes 2 grupeve dyshohet se ka nisur më herët në rrjetet sociale, ndërsa policia akoma e ka të qartë dinamikën. Nga ajo që deri më tani dihet, grupi i djemve janë takuar në një rrugicë qorre pranë shkollës “Fan Noli”, fillimisht mes tyre ka nisur debat verbal, për të vijuar me grushte dhe në fund me nxjerrjen e thikave.

19 nëntor 2024

Atentat në Tiranë, vritet djali i ish-gjyqtarit

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në Tiranë pak pas mesnates së 19 nëntorit në zonën e Xhamllikut.

Objektivi i atentatit, Klaudio Prendi fillimisht mbeti i plagosur dhe më pas ndërroi jetë në spital.

Autorët e atentatit kanë qenë në një makinë dhe kanë qëlluar sapo Prendi ka dalë nga lokali në Xhamllik për të hyrë më makinën e tij, e cila është mbushur plotë me vrima plumbash.

Mësohet se Klaudio Prendi është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.

Ndërkohë rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”, që dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.

19 nëntor 2024

Ishin duke luajtur futboll/ Sherr me gurë mes dy 12-vjeçarëve në Korçë, plagoset njëri prej tyre

Dy të mitur janë përfshirë në një konflikt këtë të martë në Korçë, e për pasojë ka mbetur i plagosur njëri prej tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në fshatin Bulgarec, teksa bëhet fjalë për dy 12-vjeçarëve, të cilët kanë qenë duke luajtur futboll në momentin kur janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

Autoritetet policore raportojnë se nga konflikti ka mbetur i plagosur me gur njëri prej tyre, i cili po merr mjekim në spital pa probleme për jetën. Ndërkohë, 12-vjeçari tjetër, së bashku me prindin, është shoqëruar në Komisariat./Alfapress.al

Exit mobile version