Dy persona u vranë me armë zjarri në zonën e quajtur “2 rrathët” e Astirit, në Tiranë mbrëmjen e kësaj të shtune.
Sipas burimeve, një automjet tip ‘Audi’ është qëlluar me breshëri plumbash dhe si pasojë kanë mbetur të vdekur dy personat që ndodheshin në të.
Burimet bënë të ditur se, viktimat janë drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri. Identiteti i tyre ende nuk bëhet i ditur.
Dyshohet se drejt tyre u hap zjarr nga një tjetër automjet. Autorët janë larguar me shpejtësi duke humbur gjurmët.
Policia e Shtetit
Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”.
Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.