Krimi dhe feja

Nga Dr.Arben Ramkaj

Besimi fetar bazohet jo vetëm tek një lidhje e fortë shpirtërore midis njeriut dhe krijuesit të tij, Zotit. Ai mbështet edhe mbi disa shtylla të forta vlerash morale, që shpeshherë ndahen edhe nga jo besimtarët, por që më shumë priren të zbatohen me përpikëri nga besimtarët praktikantë.

Kurani dhe librat e shenjte etiken dhe detyrimin social i udhëzon nëpërmjet 10 porosive…Mos i bej Zotit shok,mos vrisni,mos ju afroni veprave te ndyra te dukshme dhe te padukshme ,jini te drejte edhe kundër familjareve tuaj etj”. Për këtë arsye, në shoqëritë me një nivel të lartë tolerance, dhe në një epokë të ndikuar fort nga laiciteti, besimtarët e feve të ndryshme gëzojnë shpesh një prestigj të madh social në komunitetin ku jetojnë dhe punojnë.

Sepse ata më shumë sesa pjesa tjetër, sakrifikojnë më shumë nga jeta e tyre e përditshme për t’i qëndruar besnikë parimeve morale bazë, të cilat kanë shpesh si armik burimet e shumta të shpërqendrimit në jetën tonë moderne.

Por nga ky prestigj, priren që të përfitojnë jo rrallë edhe njerëz me të shkuar kriminale, apo ata që planifikojnë ta përdorin petkun e tyre të “besimtarit”, për të kryer veprime të dënueshme ligjërisht apo edhe vetëm moralisht.

Në dukje ata pretendojnë se janë penduar thellë për jetën e tyre të mëparshme plot zullume, dhe se tani kanë gjetur ngushëllimin tek feja. Mjerisht, e vërteta është se

ata nuk kanë hequr dorë nga jeta e tyre e shthurur dhe kriminale, edhe pse në përditshmëri, dhe sa për sytë e botës vazhdojnë paralelisht edhe praktikimin e besimit fetar.

Në këtë mënyrë, duket se feja u shërben vetëm për ta lehtësuar disi veten e tyre nga mëkatet, dhe për t’u ndjerë më mirë. Por e vërteta është se ata nuk janë bërë njerëz më të mirë. Përkundrazi janë bërë më të këqij, sepse nuk e kanë ndryshuar në thelb jetën e tyre. Ata janë berë më të keqin, sepse tashmë dalldinë e tyre meskine e fshehin mbas petkut te shenjtërisë fetare.

Rastet më të bujshme të përdorimit të besimit si një maskë për të fshehur akte kriminale, i gjejmë kudo në Evropë dhe me gjerë. Por rasti më i spikatur është ai në Italinë fqinje. Shumë bosë të famshëm të organizatave kriminale famëkeqe si Cosa Nostra në Siçili, Ndrangheta në Kalabri dhe Camorra në Napoli, kanë krijuar në publik imazhin e super-fetarëve të devotshëm.

Madje edhe betimet e pjesëtarëve të rinj të këtyre mafieve, kryhen para imazhit të disa shenjtorëve të rëndësishëm të Kishës Katolike. Në këtë rast, kanë qenë të shumta tezat që janë hedhur për ta shpjeguar këtë keqpërdorim të fesë nga njerëz, që vetë apo njerëzit nën komandën e tyre, i kanë marrë jetën mijëra njerëzve.

Një nga shpjegimet, ka të bëjë me nevojën e tyre për të pasur një fasadë të imazhit të njerëzve të respektueshëm. Duke u shfaqur aq shumë të lidhur pas besimit fetar, ata mund të justifikohen se janë “të mirë”, pavarësisht gjithçkaje që të keqe që kanë bërë në realitet. Së dyti, kanë synuar të jenë modele shembullore të një rendi të paravendosur apo superior, siç është ai fetar, që të jep prestigj dhe autoritet.

Kjo iu jep mundësi të afrohen me autoritete të tjera ose grupime fetare (dhe jo fetare), duke u ofruar ndihmë dhe bashkëpunim. Sigurisht në përmasa më të vogla dhe më pak të strukturuar, abuzime të tilla kanë ndodhur edhe në vendin tonë.

Arrestimi së fundmi i një mjeku, një praktikant i besimit islam, me akuzën e shfrytëzimit seksual të një të miture në këmbim të parave, duhet të ishte në fakt një ngjarje e rëndomtë e kronikës së zezë. Por ai nuk është një rast i zakonshëm i një krimineli ordiner.

Këtu flitet për një zotëri të formuar, dhe me një profesion të rëndësishëm. Por mbi

të gjitha, edhe një praktikant i një besimi të caktuar. Nuk dua të marrim rolin e gjyqësorit, sepse besoj se opinioni publik do të njihet më me shumë detaje në të ardhmen.

Le të supozojmë se policia dhe prokuroria kanë të drejtë, dhe se është një rast i ndërtuar mbi bazën e parimit të shkeljes së ligjit shqiptar në të gjitha aspektet. Por gjithashtu një rast që bie tërësisht ndesh me kulturën dhe traditën e familjeve shqiptare.

Ky rast fiton peshë nga raportime jo rrallë tendencioze që bëhen nga media (kryesisht portalet online, të nxitura nga gara e ethshme e përditshme për klikime) dhe sidomos nga komentet në mediat sociale. Ngjarje të tilla, shfrytëzohen nga islamofobët e thekur, që shohin gabimisht tek personi në fjalë arketipin e një besimtari mysliman.

Një keqinterpretim i njëjtë, me atë që ndodhi disa vite më parë me disa të ashtuquajtur besimtarë, që në fakt ishin individë të radikalizuar e të ç’orientuar, që shkuan në luftojnë në krah të ISIS në Siri dhe Irak.

Atëherë të kthehemi dhe njëherë tek raporti i krimit me fenë. Në shumë vende, njerëz të inkriminuar ofrojnë e dhurojnë donacione për besimet dhe besytnitë fetare. Ata i ofrojnë ato si një mënyrë që t’ju ecë mbarë në jetë, si dhe për të lehtësuar ndërgjegjen e vet.

Kjo tashmë është e dukshme kudo në botë, por edhe në Shqipëri. Dhe në këtë sjellje qartazi të gabuar dhe të papranueshme, një rol ka luajtur edhe gjendja e dobët financiare e vetë komuniteteve fetare. Ndaj është e domosdoshme që në radhë të parë drejtuesit e komuniteteve fetare të distancohen prerë, dhe të paralajmërojnë të gjithë besimtarët, se askush nuk mund ta përdorë besimin si një strehë për të fshehur axhendat vetjake me prapavija kriminale.

Së dyti, duhet të jetë e qartë, që donacionet me prapavije nga bota e erret, janë të ndaluara fetarisht edhe ligjërisht.

Së treti, mediat duhet të kenë një qasje shumë të kujdesshme ndaj rasteve të tilla, duke iu shmangur rënies në “kënetën” e stereotipizimeve, nga e cila lindin dhe ushqehen më pas fushata linçimesh në rrjetet sociale. Në parim, bota e krimit dhe e besimeve fetare janë vite dritë larg njëra-tjetrës.

Në realitet, përgjatë historisë ka pasur dhe mjerisht do të ketë raste keqpërdorimesh nga individë të ndryshëm me aftësi të shquara manipuluese. Por kjo nuk duhet të verbojë askënd prej nesh që të shfrytëzojë rastin për të nxjerrë përfundime të gabuara, dhe për të vjellë vrer nga qindra mijëra njerëzve të tjerë, të cilët janë besimtarë të devotshëm dhe të vërtetë.

Nga ana tjetër edhe besimtarët janë në thelb qenie njerëzore, dhe si të gjitha qeniet njerëzore mund të gabojnë. Mund të kryejnë edhe ata si gjithë qeniet e tjera njerëzore krime monstruoze. Shumë prej klerikëve të nderuar, mundohen me mish e shpirt, qe çdo shpirt i trazuar t’i kthehet rrugës së Zotit.

Ka dhe shumë raste, kur klerikët kanë arsye serioze të mendojnë, që një besimtar mund të ushtrojë një aktivitet të paligjshëm, dhe ata janë në dileme midis parimit universal të konfindencialitetit apo denoncimit të rastit në fjalë tek autoritetet.

Gjithsesi, unë mendoj se fenomeni i veprimeve te jashtëligjshme është i kudondodhur në shoqëri, dhe komunitetet fetare duhet të adresojnë programe dhe trajnime të posaçme për të rritur kapacitetet e klerikëve që të përballen me profesionalizëm përballë fenomeve të tilla shqetësuese.

Fenomeni duhet te trajtohet edhe me ligjërata me besimtarët, duke ia bërë të qartë fetarisht edhe ligjërisht konceptin e zhvillimit të marrëdhënieve me individë të inkriminuar. Kjo është një marrëdhënie delikate. Xhamia dhe Kisha, nuk mund t’i përjashtojnë ata nga ushtrimi i detyrës së praktikë fetare.

Por ndërkohë ata s’duhet të mendojnë kurrsesi, se objektet e kultit janë një strehë për ta.

Krimi sot në Shqipëri nuk është vetëm midis qytetarëve të thjeshtë. Ai është i përfaqësuar kudo në politike, ekonomi edhe me gjere. Mjerisht, shumë prej tyre janë edhe me kredo publike.

Shumë raste që na tregojnë se çoroditja e 30 viteve tranzicionit shqiptar, ka prodhuar shumë modele të kësaj natyre, ku krimi është i veshur me petkun e njerzillëkut. Dhe feja në përgjithësi ka luajtur një rol përcaktues në orientimin e shoqërisë shqiptare drejt vlerave universale njerëzore.

Exit mobile version