“Krimi, e vetmja fushë ku shkëlqejmë!”/ Ergys Mërtiri: Në Shqipëri, mafia e ka shtetin në krah!

Sociologu Ergys Mërtiri ka folur për krimin shqiptar të përhapur tashmë gjerësisht në botë.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Mërtiri tha se krimi është një fushë ku shqiptarët shkëlqejnë më shumë se në gjithë të tjerat dhe kjo ndodh për shkak se mafia në vendin tonë e ka shtetin në krah.

“Krimi, është e vetmja fushë ku ne shkëlqejmë, këtu jemi të parët, dominojmë në Hollandë, Spanjë, kemi lidhje deri në Ekuador, Dubai. Ndërkombëtarisht, në SKY ECC, gjuha më e përdorur pas anglishtes, ishte shqipja.

Ore pse? Cfarë na bën kaq të zotë në këtë fushë? I vetmi ndryshim është që krimi nuk e ka shtetin kundër, por e ka në krah. Asnjë vend nuk ka shtrirje kaq të gjerë.

Prirja kriminale është gjë tjetër ehe vjen nga mungesa e edukimit, kultura e rrugës, modelet e rrepistëve, që edhe me këta pozon Edi Rama. Ku e gjen ushqimin kriminaliteti? Shteti. Nëse krimi në Hollandë, Spanjë, Angli, deri edhe Ekuador, e ka shtetin kundër, këtu e kanë në krah. Ky është superioriteti i mafias shqiptare, me mafian tjetër.

Nëse nuk do ta kishte shtetin pro do të ishte si të tjerët. Kjo është alarm. Ne nuk jemi pa shtet, por me shtet të kriminalizuar. Shteti e përkrah kriminalitetin. Nuk do të thotë i gjithë shteti, por drejtuesit, politika e bën këtë. Kemi grupe kriminale, kriminalizimin e politikës, por edhe politizimin e krimit. Njerëz të rëndësishëm nga krimi, kanë kandiduar për deputetë, janë në polici, ka influenca që punëson njerëz, ofron sisteme karriere. Kjo e bën të fortë, të fuqishëm, kontrollon institucione. Rama e ka patur këtë politikë në mënyrë të dukshme me tolerancën që i bëri hashashit në filim. Solli një realitet që nuk e kontrollon dot më, je i varur nga ai.

Krimi nuk është thjesht i përhapur, por i sofistikuar, më tepër se policia dhe shteti. Mafia shqiptare, ka diversifikuar aktivitetin. Shteti dhe Shqipëria i ofron strehë edhe mafias ndërkombëtare, kemi Ndraghetën këtu. Pastrohen paratë në ndërtim. Po kështu në territor, ke zona ku policia nuk futet. Kanë kontroll mbi institucionet shtetërore. Është i vetmi vend ku fiken radarët që mafia të kalojë drogën.

Mafia ka para në mënyrë të jashtëzakonshme. Problemi i tyre është pastrimi i parave. Ka infrastrukturë, nivel të frikshëm rekrutimi, mjete komunikmi dhe teknologjike për të kryer krime. Këtu më shumë informacion kanë grupet kriminale me njëri tjetrin se grupet e policisë. E bën efikas, të fuqishëm dhe problematik. Kjo zëvendëson shtetin. Rama thotë kokat hëngshin, por mafia nuk ka rival shtetin, ka rival veten. Këta duke kapur shtetin, kapin tregun, nuk bën dot biznes, se duhet të paguash gjobën, apo tjetri të konkuron me para të pista.

Rama ka futur filozofinë, le të lulëzojnë këto se para sjellin”, tha Mërtiri.

Artikulli paraprakNga 1 janari 2025 rritet çmimi i ujit për 12 bashki, ja sa lekë do të paguajnë qytetarët
Artikulli tjetërMirela Karabina: Tallet Rama, jo vetëm TikTok, por dhe prindërit që nuk dëgjojnë mësuesit paskan “faj”