Në intervistën për “Shqipëria Live”, Lulzim Basha, ka folur për masakrën në Shkodër ku një nga viktimat është edhe djali i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Demokratëve Euroatlantikë, Xhemal Bushati. Basha tha se përtej këtij dimensioni personal, ajo që bie në sy të çdo shkodrani dhe cdo shqiptari, është dorëzimi i shtetit para krimit.
Ai më tej tha se bilanci tragjik i këtij krimi të përbindshëm, rëndon tërrësisht në duart e shtetit dhe është tashmë një fakt që e di i madh dhe i vogël që në Shkodër, është bërë njësh me politikën e lartë dhe ka vënë nën kontroll policinë e shtetit.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Fillimisht dua t’ju pyes dhe më bën sens për shkak të gjithë informacioneve të marra edhe të njohura më herët të marrëdhënies tuaj me zotin Xhemal Bushati, dhe do doja një koment nga ana juaj për atë që ndodhi në Shkodër.
Lulzim Basha: Sigurisht ka dimensionin personal dhe professional, për të cilin fjalët nuk i bëjnë drejtësi dhimbjes që ndjejmë për kolegun tonë. Por përtej këtij dimensioni personal, ajo që bie në sy të çdo shkodrani dhe cdo shqiptari, është dorëzimi i shtetit para krimit. Bilanci tragjik i këtij krimi të përbindshëm në Shkodër, rëndon tërrësisht në duart e shtetit dhe është tashmë një fakt që e di i madh dhe i vogël në atje që krimi i organizuar në Shkodër, është bërë njësh me politikën e lartë dhe ka bërë zap, ka vënë nën kontroll policinë e shtetit. Kjo ka krijuar një ndjenjë pasigurie të thellë, pakënaqësie të thellë tek shkodranët dhe tashmë tek të gjithë shqiptarët. Sepse është fundi të shohësh njerëzit me uniformë që paguhen nga taksat e shqiptarëve, për të luftuar krimin të dhunohen në këtë mënyrë, të merren peng pikërisht nga përfaqësuesit e krimit të organizuar çka është një problem shumëvjeçar në Shkodër dhe që shpërfaqet herë pas here me dimensione tragjike si ky që ndodhi para disa ditësh.
Pyetje: Ju keni pasur mundësi të flisni me zotin Bushati?
Lulzim Basha: Po kam qenë pranë tij edhe dje, edhe pardje sapo ndodhi ngjarja.
Pyetje: Si e vutë re, situatën përreth?
Lulzim Basha: Shkodra është jo thjesht në zi, është një qytet ku ka pllakosur një dramë shpirtërore e gjithë qytetarëve. Sepse raste si ky, ku nuk kursehen as kalimtarët e çastit, ilustrojnë që në Shkodër, sikundër edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, e ke kokën në satër në çdo moment. Pra, është rënia përfundimtare e shtetit, është shkrirja në një e krimit të organizuar me shtetin.