“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori”- Basha reagon pas deklaratave të kreut të SPAK: Sulmet e politikës inkurajojnë krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të Kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili tha se “familja e një prokurori është kërcënuar nga krimi i organizuar”.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha thekson se “çdo sulm i politikës ndaj sistemit të drejtësisë, nuk bën gjë tjetër vetëm se inkurajon krimin e organizuar të bëjë, gjithashtu, të njëjtën gjë”.

Teksa shpreh mbështetjen e PD, por edhe personala per SPAK, Basha thote se vetëm një drejtësi e pasulmuar nga politika, do të jetë një drejtësi e duhur për të mirën e njerëzve.

“Deklarata e kreut të SPAK-ut se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori është një kambanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Çdo sulm i politikës ndaj sistemit të drejtësisë, nuk bën gjë tjetër vetëm se inkurajon krimin e organizuar të bëjë, gjithashtu, të njëjtën gjë.

Ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë i kemi dhënë dhe vijojmë t’i japim SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë mbështetje pa kushte.

Vetëm një drejtësi e pasulmuar nga politika, do të jetë një drejtësi e duhur për të mirën e njerëzve.

Vetëm një drejtësi që i shërben shqiptarëve, është një drejtësi imune ndaj çdo kërcënimi”, thuhet ne reagimin e Bashes.

Sipas kreut te SPAK, Altin Dumani, familja e një prokurori është kërcënuar nga krimi i organizuar, ndërsa thekson se detyra e tyre është që të hetojnë dhe mos kthehen pas.

Ai shprehet se prokurorët janë të përgatitur për t’i përballuar të gjitha këto situata.

“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që ti përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”, ka thënë Dumani.

Artikulli paraprakDeri ku do të shkojë SPAK në kupolën e zyrtarëve të lartë, Dumani: S’do kursejmë askënd!
Artikulli tjetërKriza artificiale dhe marrëveshja Berisha-Rama, kundër Bashës, SPAK dhe Reformës Zgjedhore