Gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 4 persona, një në Vlorë, një në Poliçan dhe dy të vrarë e katër të plagosur në Shkodër. Ndërsa krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin, Rama dhe Tahiri flasin për ulje të krimit. Gjatë tre viteve të qeverisë së “Rilindjes” jo vetëm që krimi është rritur së tepërmi, por jeta e qytetarëve është e pasigurtë. Vrasjet po bëhen të përditshme, ndërsa policia është e paaftë për të vendosur rendin dhe sigurinë.
Në Dajç të Shkodrës ka ndodhur një masakër e vërtetë mbrëmjen e të hënës rreth orës 22:40 ku dy persona u vranë dhe 4 të tjerë u plagosën nga breshëritë e kallashnikovit. 33-vjeçari Miklovan Parubi, një i droguar që kishte humbur një lojë pokeri ka shtënë me breshëri në lokal, duke lënë të vdekur në vend 30-vjeçarin Gacalin Kopshti dhe 42-vjeçarin Arjet Saiti, megjithëse kishte pirë dhe kishte ndenjur në shoqërinë e tyre. Po kështu u plagosën Aleks Prendi 40 vjeç, Vinçens Kopshti 26 vjeç, Ndok Marku 35 vjeç dhe Kitas Molla 26 vjeç. Të plagosurit u dërguan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Bëhet e ditur se, mes autorit dhe viktimave ka pasur një sherr verbal. 33-vjeçari Parubi, sipas dëshmitarëve, njihej si përdorues droge, nën ndikimin e të cilës dyshohet se ka qenë edhe në momentin e kryerjes së krimit.
Pas sherrit fillestar, Parubi ka dalë nga lokali ku po luante me poker me viktimat dhe të plagosurit dhe është kthyer me automatik në krah, duke qëlluar me breshëri plumbash mbi miqtë e tij. Si pasojë, dy humbën jetën në vend dhe 4 të tjerë mbetën të plagosur. Nga dëshmitë e para në polici të familjarëve është thënë se, Gacalin Kopshti është vrarë aksidentalisht, pasi nuk ishte në tavolinë me autorin dhe personat e tjerë.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës arrestoi dje në mesditë Miklovan Parubin, autorin e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjen e 4 të tjerëve në Dajç. Ai është arrestuar pranë banesës së tij dhe nuk ka bërë rezistencë. Që prej mesnatës së kaluar, policia ishte në kërkim të 33-vjeçarit.
Fillimisht Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një person për masakrën e ndodhur në një lokal të fshatit Dajç. Në pranga ka përfunduar shoku i Miklovan Parubit. Të njëjtat burime saktësuan se personi në fjalë e ka shoqëruar me makinë autorin pas ngjarjes së rëndë. Ai do të hetohet për veprën penale “vrasje në bashkëpunim në rrethana cilësuese ndaj më shumë se dy apo tre personave”.
Policia bëri të ditur se, Miklovan Parubi njihet si person problematik dhe përdorues i lëndëve narkotike në këtë zonë. Shpesh herë ai kishte luhatje të mëdha emocionale dhe bën pjesë në kontigjentin kriminal të evidentuar nga policia. Forcat e policisë po ruajnë të afërmit e autorit të krimit pas frikës, se ngjarja e të hënës mund të pasohet nga një hakmarrje e familjeve të personave që humbën jetën. Nga marrja në pyetje e dëshmitarëve, Parubi ka hyrë në lokal duke thënë se “do t’i vriste të gjithë”. Disa kanë mundur të dalin nga dritaret dhe hyrja e pasme e lokalit, duke shmangur në këtë mënyrë një bilanc më tragjik.