Misteri i pazbardhur i vrasjes në Sharrë nga drejtësia do të rëndojë politikisht mbi kryebashkiakun e Tiranës. Fshehja e provave, tentimi për t’i mbyllur gojën gazetarëve që kanë hetuar këtë vrasje, bllokimi i seancave dëgjimore në punimet e Parlamentit, garantimi i lirisë të pronarit të firmës që është shpallur në kërkim nga Prokuroria nuk bëjnë gjë tjetër veçse provojnë se vrasja e 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj është një krim shtetëror. Në të është i implikuar direkt Erion Veliaj. Është i implikuar ortaku i tij, Teqja në kompaninë që operon në Sharrë dhe kjo dosje vështirë se do të mund të mbyllet.
Seanca dëgjimore në Komisionin e Medias ku do të dëshmonte gazetarja Alida Tota nuk u zhvillua dje siç ishte planifikuar. Gazetarja Tota do të fliste për investigimet e saj për vrasjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.
Shkak për dështimin e seancës u bënë deputetët socialistë, të cilët munguan duke mos bërë të mundur plotësimin e kuorumit të nevojshëm.
Dy ditë më parë, Komisioni i Medias e miratoi kërkesën vetëm me votat e deputetëve të PD-së, LSI-së dhe Mimoza Hafizit. Deputetët e Partisë Socialiste votuan të gjithë kundër.
Zonja Alida Tota u shkarkua nga detyra në televizionin “A1 News” menjëherë pas publikimit të investigimeve për vdekjen e të riut, në gusht të këtij viti. Ajo ka akuzuar kryebashkiakun Veliaj se ka ndërhyrë për shkarkimin e saj nga detyra.
Këto akuza, gazetarja i ka bërë në emisioni “Publicus”, që njësoj si investigimet e Alida Totës u censurua dhe nuk u lejua të transmetohej në televizionin “Vizion Plus”. Edhe drejtuesve të këtij emisioni iu bllokua kontrata dhe sot janë në kërkim të ushtrimit të profesionit.
Fjala e lirë e tremb një regjim kriminal. Kjo po ndodh me Ramën dhe Veliajn që kanë arritur deri aty sa në bashkëpunim me kreun e Parlamentit të bllokojnë edhe punën e Komisionit të Mediave, ku do të duhej dje të dëgjohej gazetarja Alida Tota. Kryetari i këtij Komisioni, Pollo ka konstatuar se të gjitha pajisjet që do të bënin të mundur funksionimin normal të punës në Komision ishin nxjerrë jashtë përdorimit. Nuk punonte sistemi i dëgjimit, ndërsa gazetarët nuk janë lejuar fare të futen në Komision.
Çuditërisht dje në Komision kanë munguar edhe dy deputete, të cilat kishin votuar që gazetarja Tota të dëgjohej në Komision. Deputetja e LSI Mehmeti dhe deputetja Hafizi e shkëputur nga PS nuk kanë qenë prezente në këtë seancë, duke bërë që shumicën e anëtarëve në Komision ta ketë sërish PS. Tërheqja e deputetes Hafizi ngre hije dyshimi mbi lëvizjet e luhatshme politike të Blushit, ku nga njëra anë thotë se është në opozitë me qeverinë dhe nga ana tjetër deputetja Hafizi i lëshon terrenin qeverisë.
PD: Thirrje urgjente Konferencës së Kryetarëve
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi dje në Kuvend një kërkesë për thirrje urgjente të Konferencës së Kryetarëve pas pengimit të seancave dëgjimore në dy komisione parlamentare.
Komisioni i Shëndetësisë dhe Komisioni i Mediave dhe Edukimit u penguan dje nga deputetët e mazhorancës për të zhvilluar dy seanca dëgjimore, përkatësisht me gazetaren Alida Tota mbi censurën në media duke i kushtuar asaj largimin nga detyra si drejtore Informacioni pranë një televizioni, si dhe seanca dëgjimore me ministrin e Shëndetësisë.
Grupi parlamentar i PD kërkon marrjen e masave nga Kuvendi për cenimin e së drejtës kushtetuese të opozitës dhe komisioneve parlamentare në përmbushjen e detyrës së tyre.
Pengimi i qëllimshëm i realizimit të seancave dëgjimore në komisionet parlamentare është një precedent i rrezikshëm kundër demokracisë parlamentare në Shqipëri ndaj Partia Demokratike do të kërkojë në Konferencën e Kryetarëve që ky veprim të mos përsëritet në të ardhmen.
Parlamenti në censurë!
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj censurës, e cila ka arritur deri në dyert e Parlamentit. “Me urdhër të Edi Ramës, i detyruar nga kompleksi i vrasjes së Arditit, sot në Parlamentin e vendit, në një akt të pashembullt në tërë historinë e tij që nga koha e diktaturës, u vendos censura e plotë.
Kështu, ish-gazetari A. Peza urdhëroi si një mercenar dhe në mënyrën më të kundraligjshme, bllokimin me punonjësit e Gardës të gazetarëve që kishin shkuar të ndiqnin seancën e dëgjesës së koleges së tyre Alida Tota, të thirrur me vendim të Komisionit të Mediave.
Alida u pushua nga puna për shkak të investigimit të guximshëm të saj të rrethanave të vrasjes dhe groposjes në plehra të trupit të Ardit Gjoklajt nga drejtuesit e kompanisë së Bashkisë së Tiranës.
Ky është një akt i shëmtuar censure që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Parlamentit. Me këtë akt, edhe një herë dëshmohet se vrasja e Arditit është një vrasje e mirëfilltë shtetërore, të cilën Edi Rama dhe vrasësit e tij kërkojnë të fshehin nëpërmjet censurës, siç vepruan dhe dështuan me groposjen në plehra të trupit të tij”, shprehet Berisha.
Enton DACI