Një ish-punonjës policie është vrarë me armë zjarri në Laç. Ngjarja ka ndodhur reth orës 07:23 të sotëm në afersi të një banke në qytetin e Laçit. Viktima është identifikuar si Xhelal Reçi.
Burimet bëjnë me dije se, Reçi është qëlluar nga dy persona në hyrje të dyqanit të tij, i cili ndodhet në afërsi të komisariatit të policisë së Kurbinit.
Sipas burimeve, personat që kanë qëlluar në drejtim të Reçit kanë qenë 2 dhe të pamaskuar.
Xhelal Reçi është babai i Besnik Reçit, i cili denoncoi kohë më parë se, dy persona e kishin ndjekur me motor për ta vrarë, në një kohë që ishte duke udhëtuar me makinë me familjen e tij.
60 vjeçari Xhelal Reçi është qëlluar nga një distancë e afërt rreth orës 07:23, ndërsa më pas policia gjeti të djegur një automjet tip Toyota që dyshohet se u përdor nga autorët.
Nga raportimet mjeti i djegur ishte me targa të huaja, ndërsa janë ngritur grupe kontrolli nga policia lokale dhe FNSH.
Viktima sipas raportimeve po shkonte drejt biznesit të tij, një butik dhe një bar kafe në Laç. Nga të dhënat e para mësohet se në ekzekutimin e 60 vjeçarit kanë marrë pjesë së paku 2 persona. Gjithashtu dyshimet janë se autorët apo persona të lidhur me to kanë vëzhguar me kujdes prej ditësh 60-vjeçarin, duke ditur me saktësi lëvizjet e tij, kohën kur shkonte pranë bizneseve dhe me kë shoqërohej.
“Rreth orës 07:23 ,në afersi të një banke, në qytet Laç, Kurbin. në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Xh.R.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia.
Zona ku ka ndodhur ekzekutimi i 60 vjeçarit është e mbuluar nga kamerat e sigurisë, pamjet e të cilave po sekuestrohen nga grupi hetimor, dhe ndoshta mund të çojnë në zbulimin e autorëve.
Viktima ishte një ish-punonjës policie dhe nuk dihet nëse atentati ndaj tij mund të ketë lidhje me këtë fakt, apo jo.
Një tjetër pistë në të cilën mund të shtrihen hetimet është ajo e atenttit, rreth 1 vit më parë, ndaj djalit të viktimës.
Më 15 gusht 2020, ndaj djalit të viktimës së sotme, shtetasit Besnik Reçi, u bë një atentat. Në atë kohë Besniku po udhëtonte me makinë bashkë me familjen e tij, kur nga një motor u qëllua drejt tyre.
“Më datë 16.08.2020 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë dhe punohet për identifikimin dhe kapjen a autorëve, sepse më datë 15.08.2020, ora 19:30, në lagjen ‘’Xhenjo’’Lezhë, në rrugën Lezhë-Shëngjin, dy persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një motorçikletë dhe skafanda në kokë, kanë qëlluar më armë zjarri pistoletë 3 herë, në drejtim të automjetit tip Mercedes Benz C Class me ngjyrë gri me targa AA 811 AB, me të cilin po lëvizte shtetasi Besnik Xhelal Reçi, i datëlindjes 31.08.1985, banues në Gjorme Kurbin, sëbashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe 2 djemtë e mitur. Në cilesinë e provës materiale u bllokua një gëzhojë me përmasa 9x19mm dhe një kapsollë detonatore e pa gropëzuar si dhe një fishek i pa gropëzuar. Nenet 76, 22, dhe 278 të K.Penal”, njoftonte në atë kohë policia.
Më herët, në 2013 një grabitje me armë e maska ndodhi vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Pesë persona të maskuar plagosën me armë zjarri pronarin e dyqanit dhe izoluan bashkëshorten e punonjëset e tij. Më pas ata arritën të marrin një shumë të konsiderueshme parash e flori, që sipas raportimeve të kohës arrinin në shumën e 10 milionë lekëve të rinj.
Grabitësit janë afruar me një mjet dhe janë futur me shpejtësi në dyqanin dykatesh në pronësi të 36- vjeçarit Sami Reçi, por rezistenca e këtij të fundit për pak i kushtoi jetën. Për pasojë, Reçi mbeti i plagosur rëndë. Sami Reçi është vëllai i viktimës së sotme, Xhelal Reçit.