Krimi ka tronditur dje Tiranën. Një grua ka mbetur e vrarë, ndërsa një tjetër është plagosur në Ndroq, ndërsa në Allias ka patur të shtëna me armë zjarri. Në Ndroq një shtetas ka vrarë gruan e tij dhe ka plagosur me armë kunatën pas një konflikti të autorit Kasëm Lila me vëllain e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:30, në fshatin Çoçaj të Ndroqit. Nga burimet paraprake mësohet se, si pasojë e konfliktit në familje, 56-vjeçari Kasëm Lila ka marrë çiften dhe ka qëlluar në drejtim të bashkëshortes së tij, 47-vjeçares Afize Lila dhe kunatës, F.Lila, 40-vjeçe. Për pasojë ka humbur jetën bashkëshortja e autorit, ndërsa kunata u dërgua drejt spitalit në gjendje të rëndë. Ajo mësohet se ndodhet në sallë të operacionit, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje të rëndë.
Nga hetimet paraprake, sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që autori ka patur me të vëllain e tij. Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 bënë të mundur arrestimin e Kasëm Lilës, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave. 56-vjeçari Lila mësohet se disa vite më parë ishte operuar nga tumori në kokë dhe kohët e fundit kishte shfaqur shenja depresioni.
Ndërkohë, në zonën e Alliasit në kryeqytet janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e djeshme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, ku banorë të zonës kanë njoftuar policinë se në rrugën “Njazi Meka” ka pasur një konflikt dhe të shtëna me armë. Gjithçka ka ndodhur gjatë një konflikti mes dy drejtuesve të mjeteve, ku njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në ajër.
“Menjëherë janë dërguar Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe Skuadra Shqiponjat, ku në adresën e dhënë kanë kontaktuar me shtetasin Q. C., i cili ka deklaruar se ishte konfliktuar me një drejtues mjeti tjetër, ku ky i fundit kishte qëlluar një herë në ajër me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e policisë. Janë ngritur pikat e kontrollit dhe po punohet për kapjen e drejtuesit të mjetit tip “Ford”, i cili ka shtënë në ajër me armë zjarri.
Po ditën e djeshme, një turist francez ka gjetur vdekjen, pasi u rrëzua në një humnerë në Qafën e Llogarasë. Teksa një grup prej 9 turistësh po ngjiteshin në Qafën e Qores, njëri prej tyre ra nga një lartësi e konsiderueshme. Turisti që ndërroi jetë u rrëzua e mori dëmtime në kokë. Policia identifikoi trupin e shtetasit A.T 67 vjeç nga Franca. Një helikopter u përpoq të ulej në zonë, por nuk mundi për shkak të mjegullës. Sipas burimeve, turisti ka qenë pa ndjenja, por nuk arriti të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.
Krimi është rritur frikshëm gjatë ditëve të fundit. Përditë ndodhin vrasje e plagosje, ndërsa rendi ka dalë jashtë kontrollit të policisë.