Kriminaliteti dhe arroganca pa kufi

Asllan BUSHATI

Ndoshta (në parim), nuk është etike dhe normale, t’i drejtohesh me këto epitete mazhorancës, qeverisë dhe Kryeministrit të vendit tënd. E pranoj këtë mungesë etike, por në të njëjtën kohë nuk dua dhe nuk më lejon morali im, që të fshihem prapa etikës duke poshtëruar mendimin im, të cilin dua ta ndajë me ata që mendojnë në të njëjtën linjë me mua. Po ashtu e di, se ka shumë të tjerë që mendojnë ndryshe, madje mund të më quajnë ekstremist. E respektoj mendimin e tyre nëse ma argumentojnë se ata janë më afër të vërtetës se unë. Por le të kthehemi tek faktet.
Telenovela Saimir Tahiri u shfaq, me të gjitha përmasat e saj, në Parlament siç e panë drejtpërsedrejti të gjithë shqiptarët. Mbrojtja mazhoritare parlamentare ishte, jo nga dy të ashtuqujturat thashetheme e “lajthitje shtypi” dhe të italianëve, por nga akuzat e shumta dhe ndoshta të përditshme të opozitës për gati katër vite. Akuza, të cilat kanë sjellë informacione se ish-ministri i Brendshëm është përfshirë në aktivitetin kriminal të kanabisit.
Nëse Edi Rama dhe mazhoranca (siç pretendojnë), është e interesuar për të nxjerrë të vërtetat në shesh, pyetja shtrohet pse ata e bllokuan Prokurorinë me vendim Parlamenti, për ta arrestuar dhe dërguar para Gjykatës Saimir Tahirin? Kush ka frikë nga ngujimi prapa hekurave i Saimir Tahirit? Kush është i interesuar të prishet çdo provë rreth veprimtarisë kriminale të tij të supozuar nga organi i akuzës? Vetë Edi Rama a ka frikë nga ata që di Saimir Tahiri dhe që po të thuhen hapur e merr me vehte në bankën e të akuzuarit edhe atë? Po të zbardhet tërësisht veprimtaria e grupit narkotik të Xibrakës së Elbasanit, a mos del i implikuar edhe Edi Rama me të afërmit e tij? A disponon fakte Saimir Tahiri për veprimtari kriminale të të afërmve të Edi Ramës në off shore? Po ashtu çfarë di zoti Tahiri nga aktiviteti antiligjor i Edi Ramës si ish-Kryetar Bashkie në Tiranë? Nëse Saimir Tahiri ishte më i miri ministër i kabinetit të tij të parë (siç ka deklaruar shpesh Edi Rama), pse nuk e riemëroi përsëri ministër? Ka edhe shumë pikëpyetje të tjera, por edhe kaq na mjaftojnë të arrijmë në përfundimin se: perceptimi i përgjithshëm është se edhe Edi Rama është i përfshirë në veprimtari të dënueshme dhe se dorëzimi i zotit Tahiri rrezikon jo vetëm pozitat e tij politike, por edhe më shumë. E thënë më shkurt, Edi Rama duke mbrojtur Saimir Tahirin po mbron edhe vehten nga prangosja. Po deri kur do të vazhdojë kjo tragji-komedi? Se dihet se italianët kanë edhe regjistrime të tjera, CIA nuk ka folur akoma, organet e reja të Prokurorisë e drejtësisë nuk kanë folur akoma. Dhe veç Edi Ramës e Saimir Tahirit ka edhe ca qeveritarë të tjerë që po dridhen se kur do t’u dalë emri në listat e kriminalitetit. Shtoj kësaj edhe bandat kriminale që bëjnë ligjin në Elbasan, Vlorë, Durrës, Shkodër, Lushnjë etj., të cilat bashkëpunojnë hapur e fshehtas me segmentet e qeverisë. Kjo e ka emrin thjeshtë kriminalitet i ngritur në sistem në shërbim të banditëve e në dëm të njerëzve të ndershëm, të cilët nga mos durimi kërkojnë të largohen me çdo kusht jashtë vendit.
Pas seancës parlamentare, Kryeministri “ju përgjigj” pyetjeve të gazetarëve. Ju përgjigj e them vetëm si shprehje e përdorur rëndomtë në të tilla raste, sepse ai jo vetëm nuk ju përgjigj, por i sulmoi gazetarët pa as më të voglën etikë. Edi Rama me një arrogancë të paparë, me një fodullëk të pakrahasueshëm me askënd tjetër, i ofendoi ata duke ju thënë se jeni të paditur, nuk lexoni, nuk kuptoni, jeni pjesë e llumit të kazanit të mediave etj. Kjo arrogancë është e denjë vetëm për njerëz të rrugës, kabadainj, megalomanë të tipit Edi Rama dhe për askënd tjerër. Nuk e di se si e duruan pa e ofenduar gazetarët e pranishëm, njeriun e gjatë që kishin para mikrofonave. Do të ishte krejt e pranueshme ta kalonin edhe ata qoftë edhe një herë të vetme kufirin e mirësjelljes, përpara një njeriu kaq arrogant siç është Kryeministri ynë e kryetari mazhorancës socialiste.
Në gjykimin tim, ju socialistët e vërtetë, duhet të respektoheni nga gjithë shoqëria, për bindjet tuaja të majta, me të cilat mendoni se shoqëria shqiptare mund të përparojë më shumë me idetë tuaja sociale. Dakort, e respektoj plotësisht mendimin dhe idetë tuaja. Por, në të njëjtën kohë edhe ju, ju lutem respektoni bindjet e mia të djathta (dhe të shumë njerëzve si unë) për një qeveri të vogël, taksa të ulta, gjenerim të biznesit, uljen e borxhit të jashtëm e të brendshëm, për arsimin, shëndetësinë, ndarjen territoriale, organizimin shtetëror etj., sipas pikëpamjeve të djathta. Por të nderuar socialistë idealist, a mund të më thoni se çfarë lidhje ka Edi Rama me idetë tuaja sociale? Edi Rama dhe klani i tij nuk janë socialistë e bartës të idealeve dhe interesave tuaja. Ata janë thjeshtë, bartës dhe mbrojtës të një grushti njerëzish multimilionerë, të bërë të tillë me afera korruptive e kriminale. Ju socialistë të vërtetë, duke mbështetur Edi Ramën në premtimet false, idetë avantureske, kanabizimin dhe kriminalitetin i keni bërë e vazhdoni t’i bëni një dëm të madh të majtës e të djathtës, të sotmes dhe të ardhmes së vendit. Do të ishte në nderin tuaj një reflektim sa më i shpejtë, duke mbështetur bartësit e menditit tuaj social, tek ata deputetë e intelektualë që nuk janë kompromentuar, korruptuar e kriminalizuar akoma.
Pajtohem me qëndrimet dhe lëvizjet e fundit politike të LSI-së dhe të Kryetares së saj zonjës Kryemadhi, si për luftën kundër kanabizimit e kriminalitetit dhe në qëndrimin ndaj problemit Tahiri. Por s’mund të pajtohem me lëvizjen e gabuar parazgjedhore të kësaj force, e cila nuk ju bashku qëndrimeve të PD-së dhe opozitës, e cila do të kishte sjellë rezultate të tjera zgjedhore. Gabimin që ka bërë po e pëson vetë nën megalomaninë e Edi Ramës, por po e vuan i gjithë populli shqiptar.
Kam mendimin se opozita në tërësi duhet ta njohë autoritetin e PD-së dhe të liderit të saj Lulzim Basha. Ai mund të ketë bërë edhe ndonjë gabim parazgjedhor i detyruar nga rrethanat dhe veçanërisht ndërkombëtarët, por ka treguar largpamësi e këmbëngulje në betejat për luftën kundër kriminalizimit të shtetit e kanabizimin, duke ju drejtuar me emër e mbiemër Saimir Tahirit e Edi Ramës dhe klaneve mafioze që i mbështesnin ata. Po ashtu, në gjykimin tim, ai ka qenë shumë serioz dhe i vendosur në platformën e tij për Reformën në Drejtësi. Shpresoj dhe dëshiroj që gjithë opozita të jetë më e bashkuar në qëndrimet e veprimet e saj, e të korrigjojë shënjestrën, duke ju drejtuar për goditje objektivave madhor.
Kohët e fundit në shkrimet e mia, kam qenë shpesh herë shumë kritik ndaj ndërkombëtarëve, veçanërisht ndaj Departamentit të Shtetit Amerikan dhe BE-së, për mbështetjen e pamerituar që ata i dhanë Edi Ramës në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke ndihmuar që situata brenda Shqipërisë të përkeqësohet. Shpresoj që ata, nga telenovela Tahiri, të kenë nxjerrë përfundimet e duhura dhe të ndihmojnë në përshpejtimin e Reformës në Drejtësi, duke marrë pjesë aktive në luftën kundër krimit të organizuar që ka pushtuar Shqipërinë. Ndihmesa e tyre është shumë e nevojëshme dhe qëndrimi pa ekuivok ndaj kriminelëve e të korruptuarve, duke folur me emër e mbiemër është domosdoshmëri.

Exit mobile version