Nëse Mark Twain do të ishte gjallë e sigurtë është se në kriteret e tenderave të Bashkisë së Vlorës do të gjente çdo ditë nga një subjekt të denjë për tregimet e tij satirike.
Por Mark Twain nuk jeton më. Ndaj dhe narracionin satirik ka vendosur ta shkruajë kësaj here, me firmën e tij, vetë kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.
“Rehabilitimi i rrugëve Ramize Gjebrea–Gjon Bocari Loti 1” është prokurimi publik me vlerë 67.037.038 lekë, i shpallur prej tij më 29 shtator 2016.
Për ta fituar këtë tender, Bashkia ka përcaktuar një kriter: kompania fituese të ketë në stafin e saj 5 inxhinierë.
Deri këtu nuk ka asnjë fakt të dyshimtë. Por djalli fshihet në detaje. Dhe është pikërisht një nënkusht i fshehur mes rreshtave, sa satirik, aq edhe “tragjik” në raport me ligjin.
Pa u zgjatur. Nga dokumentat e siguruara nga “BalkanWeb” mësohet se Bashkia e Vlorës kërkon që njëri nga këta inxhinierë, e saktësisht ai për ndërtime civile, të jetë i diplomuar në vitin 1971. Se pse i duhet Bashkisë një inxhinier para këtij viti, këtë vetëm Leli e di.
Vendosja e kritereve të caktuara për të favorizuar operatorë të ndryshëm në tendera publikë nuk përbën më një çudi në Shqipëri. I tillë është edhe ky rast. Një kriter aspak ligjor dhe që as siguron një garë të barabartë për kompanitë që kanë vendosur të fitojnë tenderin “Rehabilitimi i rrugëve Ramize Gjebrea–Gjon Bocari Loti 1”.
Vlera e këtij prokurimi, fituesi i të cilit pritet të shpallet më 19 tetor 2016, është shumë e lartë. Ndaj dhe ky kriter i diplomës së vitit 1971 ngjason me një kusht klientelist. Dhe kushtet klinteliste nuk janë ligjore përsa kohë synojnë të përjashtojnë kompanitë nga pjesëmarrja në tender, të ulin konkurrencën dhe të sigurojnë fituesin e paracaktuar.
Tani mbetet vetëm të shihet se cila firmë që ka inxhinierin e diplomuar në vitin 1971 do ta fitojë pas 13 ditësh, tenderin prej 67 milionë lekësh të reja për “rehabilitimin e rrugëve Ramize Gjebrea – Gjon Bocari Loti 1”