Është njeriu më i urryer? Nuk ka asnjë problem, futbolli e ka mësuar të përdorë personat negativë për t’u motivuar. Cristiano Ronaldo është i vetëdijshëm se shumë njerëz nuk e kanë aspak qejf, por ai thekson se ka nevojë për armiqtë e tij. Në një intervistë dhënë për “Coach Magazine” shton se armiqtë e tij e kanë ndihmuar që të fitojë. Me pak fjalë, sulmuesit luzitan nuk i intereson aspak ajo çfarë thuhet për të pasi sipas tij, futbolli e ka mësuar të menaxhojë kritikat për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.
“Messi? Nuk jemi miq të mirë, por e respektojmë njëri-tjetrin. Mediat na atribuojnë një rivalitet të madh që në të vërtetë nuk ekziston. Mbrojtësi më i fortë me të cilin jam përballur? Ashley Cole. Nuk të le të marrësh frymë”, u shpreh Ronaldo. Lojtarin, të cilin do të dëshironte të kishte gjithmonë përkrah ishte Pepe.
Një koment, CR7 e shkëputi edhe për ish-trajnerin e tij, Jose Murinjo. “Kam punuar me trajnerë të mëdhenj, por Murinjo është njeriu që analizonte gjithçka deri në detaje. Zidane është shembulli perfekt se si mund të ndërtosh marrëdhënie të mira në dhomat e zhveshjes. Sezonin e shkuar e mbylla në mënyrën më pozitive me suksesin në Champions League dhe në Euro 2016”, tha Ronaldo.
Pavarësisht elozheve për Murinjon dhe Zidane, në zemrën e Cristiano Ronaldos, vendin kryesor do ta zejë përherë një emër tjetër. “E konsideroj si një figurë atërore. Të gjithë trajnerët e mi kanë qenë të rëndësishëm, por kur mbërrita te United isha një fëmijë dhe e gjeta veten në një nga klubet më të rëndësishëm të botës. Në ato momente kisha nevojë për një guidë si Alex Ferguson”, përfundoi Ronaldo.