Dhjetë vjet më parë kur presidenti dhe kryeministri i Kosovës po bënin një paraqitje me peshë të madhe për shtetin e Kosovës në Washington, vëmendjen e shumëkujt e mori një vajzë e re.
Vjosa Osmani që në këtë ngjarje po e bënte përkthyesen, teksa ishte shefe e kabinetit të kryetarit Fatmir Sejdiu, bëri një ndërhyrje në prezantim. Ajo korrigjoi kryeministrin Hashim Thaçi derisa ky e ngatërroi nikoqiren sekretaren Hillary Clinton me paraardhësen Madeleine Albright.
Ndryshe Vjosa Osmani sot nga LDK u nominua për Kryeministre, ndërsa ky vendim erdhi pas mbledhjes së dytë të mbajtur.
Por rasti kur ajo korrigjoi Hashim Thaçin gjatë përkthimit nuk do të mbetej i pari dhe i vetmi që Osmani do të korrigjonte Thaçin.
Gruaja që për tri mandate ishte deputete e LDK-së u personifikua si personalitete e ashpër e udhëheqësit të PDK-së.
Ajo ishte ndër të rrallët nga LDK që e kundërshtoi Thaçin për kryetari shteti, edhe pse kishte një marrëveshje ndërmjet LDK-së dhe PDK-së, gjë e cila edhe ndikoi në raportet në mes të saj dhe të kryetarit Isa Mustafa.
Në një dekadë pavarësi kemi parë që shtetin më të ri në Europë ta drejtojnë aktivistë të rezistencës nën Jugosllavi ose ish-ushtarë të UÇK-së të pasluftës.
Tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës e themeluar nga i ndjeri Ibrahim Rugova ka vendour që të hyjë në zgjedhjet e 6 tetorit duke u prezantuar me emrin e deputetes Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre. Në një shoqëri më së shumti patriarkale si ajo e Kosovës, prezantimi me një grua nuk do të jetë i lehtë për një parti historike si LDK-ja.
Kush është?
Por kush është Vjosa Osmani që në Shqipëri njihet pak ndërsa në Kosovë ka krijuar një profil të fortë në politikë? 37-vjeçarja është juriste e diplomuar fillimisht në Universitetin e Prishtinës dhe më pas masterin dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA.
Hyri në politikë që në adoleshencë si aktiviste e LDK-së. Lindi në Mitrovicë, është e martuar dhe ka 2 vajza binjake. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Ajo është zgjedhur për 3 mandate si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Në dy zgjedhjet e fundit është renditur deputetja grua më e votuar në Kosovë. Vjosa Osmani është edhe lektore në Universitetin e Prishtinës.
Ndonëse me moshë të re, ajo njihet edhe për kontributin e saj për pavarësimin e Kosovës. Puna e saj ra në sy në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kur ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë, çështje që Kosova e fitoi përballë Serbisë. Veç gjuhës amtare flet anglisht, turqisht, spanjisht dhe serbisht.
Një grua e parimeve?
Në opinionin publik ka krijuar profilin e një gruaje parimore. Edhe pse kundërshtarët politikë i kanë renditur akuza të shumta nuk ka qenë e përfolur në asnjë skandal korrupsioni gjatë kohës që LDK ka qenë në pushtet. Ajo njihet si polemizuese e fortë përballë PDK-së së Thaçit.
Në një rast në komisionin e Jashtëm është përballur edhe me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu i cili është drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pjesë e stafit të Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Osmani nuk i kurseu kritikat ndaj ministrit edhe pse në krah të tij qëndronte babai i dy fëmijëve të saj.