Kriza, askush nuk merr më kredi

Prodhimi nën kapacitete dhe klima e lartë e pasigurisë e ka tulatur kërkesën biznesit për kredi në dy vitet e fundit, por teksa konsumatorët ishin më shumë më kërkues, viti 2016 i ka gjetur edhe ata pesimistë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për herë të parë kërkesa e individëve për kredi ra në nivele negative në tremujorin e parë të 2016.
Kërkesa e individëve për kredi banese shënoi rënie me 13.6 për qind në janar –mars 2016 dhe kërkesa për kredi konsumatore ra me 9.6% për të njëjtën periudhë.
Këto tregues kishin patur ritme rritjeje dyshifrore më 2015. Banka e Shqipërisë analizon se rënia e kërkesës së individëve për kredi, në tremujorin e parë të vitit 2016, është nxitur kryesisht nga zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kështu, përqindja neto e balancës për këtë faktor, i cili ka pasur një kontribut pozitiv të vazhdueshëm në rritjen e kërkesës për kredi, për tremujorin në analizë, rezultoi negativ.
Bankat raportojnë se, edhe besimi konsumator ka pasur një rol negativ në ecurinë e kërkesës për kredi. Ndërkohë, kushtet e kreditimit të zbatuara nga bankat, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe nevoja për financimin e blerjes së banesës kanë ndikuar pozitivisht mbi rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor.
Në ndryshim nga tremujorët e kaluar, përdorimi i burimeve alternative të financimit ka shfaqur një kontribut të parëndësishëm në ecurinë e kërkesës për kredi nga individët.

Artikulli paraprakUlje historike e aktivitetit të pasurive të paluajtshme
Artikulli tjetërShqiptarët, të parët në listat e azilkërkuesve në Hollandë