Kriza – Bizneset overdrafte në banka për pagat

Rreth gjysma e kredive që bankat kanë dhënë për bizneset janë në formën e overdrafteve. E thënë ndryshe hua që merret me afat të shkurtër shlyerje dhe interes të lartë, por që lëvrohet me shpejtësi dhe që përdoret nga bizneset kryesisht për të paguar shpenzimet e përditshme të aktivitetit, si pagat, kontraktorët, faturat etj.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, në tremujorin e parë të këtij viti, rreth 42% e këtyre kredive të reja ishin overdrafte dhe 40.8% e këtyre overdrafteve të reja janë dhënë në lek. Këto shifra dëshmojnë qartë për krizën e thellë tëe likuidtetit që kanë aktualisht një pjesë e bizneseve që po përpiqen të mbijetojnë në treg.
Shoqata e Bankave evidenton gjithashtu se gjatë tremujorit të parë të këtij viti kreditimi është tkurrur më tej. Në krahasim me një vit më parë, teprica e kredisë rezulton  1.4% më e ulët. Ndërsa kundrejt fundit të vitit 2015  paraqitet me një rritje anemike prej 0.53%.
Ndërkaq edhe cilësia e kredisë paraqitet e përkeqësuar. Të dhënat tregojnë se në fund të masrit, niveli i kredive me probleme arriti në 19.3%, duke shënuar një rritje prej 1.1 për qind kundrejt fundit të 2015-ës. Një tregues që pritet të ndikojë në shtrëngimin e mëtejshëm të kreditimit nga bankat.

Artikulli paraprakNishani dekoron shkrimtarin Ismail Kadare me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”
Artikulli tjetërBanka e Shqipërisë, përpjekje të “dëshpëruara” për të nxitur ekonominë e sëmurë