Pranvera SHEHAJ
Të fortët janë heronj të dramës dhe tragjedisë së tyre, janë legjenda të mitizuara të triumfit konkret kundrejt kauzave të paprekshme nga pjesa mazhoritare e shoqërisë. Escobarët tanë janë më shumë se krenari, janë subjekte që na plotësojnë pa kushte dimensionet e tjera deficitare që kemi si popull dhe na bëjnë të ndihemi të paktën miza që pushojnë në të ndenjurat e luanëve të xhunglës.
Në fakt, ne nuk i kemi pasur ndonjëherë fort të larta standardet dhe pretendimet ndaj lidershipit, prandaj ku ka më mirë se kur i forti të hyn në dobi dhe e vendos llogarinë bankare në funksion të vetë lidershipit. E ky i forti, që në mënyrë inkoshiente i paska kaluar netët burgjeve të Evropës, sot luan simfoninë e pushtetit në tempullin e demokracisë, aty ku sovrani ka deleguar fatin e tij. Kur tipi i sistemit elektoral me listë të mbyllur i katapultoi si baktere galopante në karriget parlamentare, aty kuptuam se sigla e partisë kishte strehuar emigrantët e katundit që në kohë rekord pantallonat e rreckosura i fshehën në bagazhin e makinës luksoze. Ne, përsëri nuk mundëm të ishim aq vigjilentë sa të evidentonim ku i kishte fshehur katundari i shkathët pantallonat e grisura, por u venitëm nga lakmia ndaj makinës dhe kostumit të tij, duke i atribuar madje edhe statusin “i shkathët”.
Kur tutorët ndërkombëtarë tentuan të na vinin në dukje se si kishim rilindur me krimin dhe kishim varrosur ndershmërinë e demokracinë, aty kuptuam sa ëmbël, sa mjeshtërisht, sa pafytyrësisht na kishin hequr një tjetër copë nga trupi, na kishin quajtur popull i mefshtë, analfabet dhe mjeran, popull që e zeza i duket e bardhë, arroganca i duket xhentilesë, lustrat i duken mirëqenie dhe shuplakat i duken dhembshuri.
Mesa duket, egoja, krenaria dhe burrëria që i kemi njohur vetes nëpër legjenda, s’paskan qenë aq të shndritshme dhe të hekurta sa i pretendonim. Kush tha se shqiptari nuk duron, se shqiptarit i vlon gjaku kur e fyen, kur i nëpërkëmb nderin, kur i shkel me këmbë virtytin dhe intelektin?! Me siguri, ata që i kanë gdhendur këto cilësi në fletët e legjendave, nuk e kanë ditur se do të vinte një ditë kur shqiptari do të vihej në provë me historinë e do të rilindte aq fuqishëm sa të duronte kur nënat dhe motrat punësoheshin me kritere perverse, kur të braktisurit nga fati do të ktheheshin në objekte loje të përbindëshave të jetimoreve, kur ëndrra për Evropën sfidohet nga pamje kriminale në të cilat njerëzoret lidhen me zinxhirët e jo humanëve. Ajo që të parët me siguri s’kanë ditur është çudia se do të vinte një kohe kur nderi i shqiptarit do të ishte fare i papërfillshëm ndaj aftësisë dhe shkathtësisë për të vrarë, për të trafikuar, për të përdhunuar, për të kamufluar krimet njerëzore me të vetmin destinacion final: pushtetin. Nuk e kanë ditur as që do të vinte një kohë kur shqiptarët në mënyrë indirekte do t’i kishin zgjedhur trimat e krimit si përfaqësues të imazhit tonë politik në sytë e shteteve fqinje.
Peripecitë që historia vendos përballë popujve janë barriera të obligueshme për t’u kapërcyer, si e vetmja mënyrë për të shkuar drejt progresit shoqëror, politik dhe diplomatik. Por, nuk besoj se ka popull në historinë politike globale që krimit t’i ketë dhënë çelësin e drejtësisë e vrasësit t’i ketë veshur kostumin e ligjit duke e vendosur veten përballë barrierës më të rrezikshme kundrejt dinjitetit shoqëror, progresit ekonomik dhe rekuperimit politik.
Faji është gjithmonë jetim, ashtu si në fakt ne jemi një popull jetim për sa kohë nuk marrim në dorë fatin e së nesërmes në emër të kapitujve të së shkuarës. Edhe pse varfëria është ulur këmbëkryq dhe mjerimi i Migjenit është kthyer në monstër që përpin gjithë forcat, bashkimi dhe shpirti i dinjitetit duhet të na zgjojnë nga kllapia, të na nxjerrin nga paradhoma e vdekjes e të na bëjnë ta kthejmë krimin që na ka marrë peng, në makthin e një nate të errët. Legjendat nuk mund të kenë qenë vetëm fryt i fantazisë… dikush, diçka ka ditur për shqiptarët. Me siguri, kemi ende shpresë … ndryshimi fillon nga rimarrja e nderit, nga përbuzja ndaj së keqes, nga uria për dinjitet.