Kriza e strehimit në Tiranë; Ndërtimi në rritje, popullsia në rënie

Nga Erisa Kryeziu

Anja Kastrati jetoi me familjen e saj për shtatë vite në një apartament të vogël në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Edhe pse banore e një prej lagjeve të reja të kryeqytetit, kushtet e apartamentit nuk mund të përshkruheshin si moderne dhe të rehatshme.

“Ishte në gjendje të mjerueshme, nuk ishte mirëmbajtur,”– kujtoi Anja. “Kishte lagështirë të paparë,” -shtoi ajo.

Nënë e dy fëmijëve në moshë shkolle, Anja paguante një qira mujore prej 18 mijë lekësh dhe 22 mijë lekë të tjera për të shkolluar fëmijët, pasi zona e Yzberishtit nuk ka shkolla publike. Kostot e larta të strehimit dhe shkollimit të fëmijëve e detyruan Anjën dhe bashkëshortin e saj të zhvendoseshin në qytetin e Kamzës.

“40 mijë lekë unë nuk i fusja fare në shtëpi, pa dritat, pa ujin e pa këto të tjerat”,– theksoi Anja e dorëzuar.

Kushtet e strehimit të familjes Kastrati nuk janë të pazakonta për familjet e reja në kryeqytet, ku çmimet e shitjes së apartamenteve kanë regjistruar rritje dyshifrore gjatë viteve të fundit, ndërkohë që cilësia dhe stoku i apartamenteve që jepen me qira vlerësohen si të këqija.

Të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një pyetësori online të plotësuar nga 123 banorë të Tiranës që kanë blerë shtëpi, janë në kërkim të një apartamenti ose marrin aktualisht me qira, shpalosin një panoramë të zymtë të ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme.

“Gjen godina skandaloze, me punime qesharake dhe cilësi të tmerrshme, por me çmime 1 mijë euro m2,”– shkroi njëri prej të anketuarve, i cili preferoi të mos identifikohej me emër. “Blerja e apartamentit është e papërballueshme për ne si familje e re,”- theksoi ai.

87% e qytetarëve që plotësuan pyetësorin online për të ndarë shqetësimet e tyre për strehimin në Tiranë, u shprehën se janë gjithashtu të pakënaqur me jetesën me qira në kryeqytet. Një pjesë e vëzhguesve të tregut fajësojnë ekonominë gri për rritjen e çmimeve, ndërsa të tjerë shprehen se tregu po i përligjet kërkesës për strehim.

Edhe pse bashkia e Tiranës ka një skeme strehimi social ku çiftet e reja kanë prioritet, shumë pak nga të anketuarit nëpërmjet pyetësorit thanë se kanë aplikuar për që qenë përfitues, për shkak të mosbesimit në integritetin e sistemit.

Edhe ato pak familje që deklaruan se kanë aplikuar, në pjesën dërrmuese nuk kanë qenë të suksesshme.

Bum ndërtimesh, rritje çmimesh

Në shtatë vitet e fundit – pa përfshirë 2024, bashkia Tiranë ka dhënë më shumë se 8133 leje të reja ndërtimi dhe ky sektor mban tashmë peshën kryesore të të ardhura në buxhetin e kryeqytetit, si rrjedhojë vjeljes së taksës së ndikimit në infrastrukturë e vendosur për ndërtimet e reja.

Por me gjithë bumin në ndërtim, popullsia e vendit është në rënie dhe numri i qytetarëve që transferohen çdo vit në Tiranë nga rrethet e tjera ka ardhur duke u ulur – nga 21 mijë banorë të rinj në vitin 2019 në 5,700 syresh në vitin 2023.

Fisnik Haçkaj, ndërmjetës pasurish të patundshme pranë kompanisë “Century 21 Astoria”, shprehet se kërkesat më të mëdha për qira dhe blerje apartamentesh në Tiranë vijnë nga çiftet e reja.

“Sigurisht janë çifte të reja të cilët janë në marrëdhënie pune, burrë dhe grua, të cilët drejtohen ose te qiratë momentalisht ose te blerjet me kredi,” -tha ai, duke shtuar se shumica janë në ‘moshë 30 e sipër”.

Megjithë bumin e sektorin e ndërtimit blerja e një apartamenti në Tiranë është gati e pamundur për shumicën e familjeve të shtresës se mesme dhe të varfër.

Elnis Kolndreu me profesion ekonomist e konsideron vet mes fatlumëve. Bashkë me bashkëshorten e tij ai bleu para një viti një apartament të ri në Laprakë, të cilin e financoi me një kredi hipotekare 20 vjeçare.

“Apartamentin që e kam blerë 80 mijë euro, mua ma kanë kërkuar 160 mijë euro,”– tregoi ai. “Pra unë sot, nuk e blej dot më apartamentin që kam blerë para pak kohësh ”,-shtoi Kolndreu.

Megjithatë, Elnisi e sheh me shqetësim mungesën e hapësirave të gjelbra pranë banesës që ka blerë.

“Këtu nuk ka as parqe, asgjë,”– tha ai. “Kanë mbjellë dy pemë aty ata të pallatit, ato janë parqe”,- shtoi ekonomisti.

Eduard Çela, me profesion shofer jetoi 18 vjet me qira përpara se të blente apartamentin e tij të parë. Dy vite më parë ai investoi një banesë qe bleu për 45 mijë euro në zonën e Freskut, zonë periferike e kryeqytetit. Gjysmën e vlerës e mbuloi përmes kredisë.

“Kredia është e përballueshme sepse unë e kam marrë me afat të gjatë, për 23 vjet dhe e kam llogaritur këstin e ulët”, -shpjegoi ai.

Fisnik Haçkaj shpjegoi se zona të caktuara të kryeqytetit kanë pësuar rritje të konsiderueshme të çmimit gjatë viteve të fundit, që vjen edhe si pasojë e hovit zhvillimor që kanë marrë.

“Ka një rritje çmimi minimalisht aq sa është rritja ekonomike, e përshtatur edhe me inflacionin që është 5%,”- tha ai, ndërsa shtoi se ka disa zona si Astiri dhe Fresku ku rritja ka qenë disa herë më e lartë. “Astiri ka pësuar rritje edhe 40% çdo vit,”- theksoi Haçkaj.

Ervis Gaba jeton në një apartament 64 m2 në Tiranë dhe po kërkon të blejë një apartament të ri me dy dhoma dhe një kuzhinë, ku të banojë me nënën, bashkëshorten dhe djalin e tij. Megjithatë, ai nuk është optimist se do ta sigurojë lehtë një apartament të përshtatshëm për mundësitë e tij financiare.

“Pra, të heq këtë që kam, të shtoj ca lek dhe të marr shtëpi më të madhe, por nuk ka shans”,— ankohet Gaba, ndërsa shton se jeta në Tiranë është e vështirë.

“Shkollat zero, trafiku tmerr, çmimet po ashtu”,- tha ai. “Kaos, asgjë tjetër,”– shtoi Gaba, ndërsa theksoi se është më mirë të jetosh në Patos apo Kukës, pasi sipas tij ‘Tirana ka vdekur.”

Ngërçi i strehimit social

Sipas nenit 59 të Kushtetutës, strehimi i përshtatshëm dhe i përballueshëm është një nga objektivat sociale të shtetit shqiptar.

Mirëpo, sipas raportit të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën sektori social i banesave me qira, qoftë publik apo privat përfaqëson vetëm 0.1% të totalit të banesave të banuara dhe nuk mund të konkurrojë me tregun privat.

Bashkia Tiranë në dhjetor të vitit 2020 e ridimensionoi programin e kredisë së butë, një skemë e strehimit social që kjo bashki aplikon, duke u dhënë prioritet çifteve të reja.

Programi që ofron lehtësira për familjet e reja përmes subvencionimeve të interesave të kredisë është vënë në zbatim vetëm në vitet 2018, 2020 dhe 2022. Prej këtij programi kanë përfituar 2652 qytetarë nga 7645 aplikime në total.

Elnis Kolndreu e sheh me skepticizëm skemën, pasi sipas tij, vlera e subvencionuar nga Bashkia është shumë e ulët krahasuar me tregun.

“Me atë vlerë që të jep bashkia nuk blen dot gjë, se nuk ka apartamente poshtë 900 euroshit (m2),” -tha ai. “Ku e blejnë njerëzit me kredi të butë një shtëpi 1 mijë euroshe metri katror. Askund!”

Agron Haxhimalit, hulumtues i politikave vendore, shpjegon se roli i bashkisë është të mbështesë mekanizma lehtësuese për shtresa të shoqërisë që janë në pamundësi për të marrë një banesë për një jetesë normale. Sipas Haxhimalit politikat e deritanishme të strehimit social në kryeqytet kanë dështuar.

“Bashkia ka bërë disa përpjekje për strehimin social, por mbetet akoma një boshllëk i madh midis asaj që kërkohet me të drejtë nga grupe të ndryshme në nevojë dhe asaj që bën bashkia,” -tha ai.

“Nuk shikoj një qasje të qëndrueshme dhe zgjidhëse të këtij problemi”,- shtoi Haxhimali.

Pastrim parash në ndërtim?

Sipas raportit vjetor të Agjencisë Kundër Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave sektori i ndërtimit ka një risk të lartë për transaksione të paligjshme. Burimi financiar i industrisë së ndërtimit në vend është parë me shqetësim edhe nga raportet ndërkombëtare.

Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar dhe Transnacional vlerëson se në vetëm dy vite (2017-2019) u pastruan rreth 240 milionë euro përmes industrisë së ndërtimit në Shqipëri.

Media të rëndësishme ndërkombëtare si “The Economist” theksuan se rritja me më shumë se 67% e vlerës së transaksioneve imobiliare dhe dyfishimi i çmimeve, ngre gjithashtu alarmin e pastrimit të parave në Shqipëri.

Sipas ekonomistit Elnis Kolndreu rritja e çmimeve në Tiranë nuk mund të shpjegohet pa paratë e pista, ndryshe do të sfidonte ligjet e ekonomiksit.

“Është rritur edhe oferta, por edhe njerëzit kanë ikur, s’ka më çifte të reja, popullsia është ulur,” -numëroi ai faktorët. “Pse rriten çmimet?”- pyet Kolndreu.

Megjithatë Fisnik Haçkaj argumenton se tregu nuk është një flluskë sikurse paraqitet në retorikën publike.

“Thuhet se ka shumë prona të lira, pse nuk po bien çmimet,” -tha ai.

Haçkaj është optimist se trendi pozitiv në tregun e pasurive të patundshme do të vijojë me një tendencë rritjeje me 5-10% në vit.

Kriza e strehimit në Tiranë; Ndërtimi në rritje, popullsia në rënie

Artikulli paraprakShqipëria, e 11-ta në botë për karburantet më të shtrenjta
Artikulli tjetërPërse nuk duhet të pini ujë të ftohtë gjatë vakteve, ndikimi i shumëfishtë në organizëm