Dërgesat e emigrantëve ranë me 10.5 për qind në tremujorin e katër të vitit të kaluar duke konfirmuar tendencën negative të nisur një tremujor më parë. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në periudhën tetor-dhjetor 2015, shqiptarët që punojnë jashtë dërguan pranë familjeve të tyre 154.2 milionë euro, nga 172.3 milionë që ishte shifra në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat e emigrantëve u rritën me 21 për qind në gjysmën e parë të vitit 2015. Por tendenca pozitive u përmbys menjëherë pas shpërthimit të krizës greke në qershor, kur vendi fqinj rrezikoi daljen nga euro. Si rezultat, dërgesat ranë me 15 për qind në tremujorin e tretë dhe 10.5 për qind në atë të fundit. Veç rikthimit të Greqisë në recesion, gjashtëmujori i dytë i vitit të kaluar shënoi përkeqësim thuajse në mbarë ekonominë e eurozonës. Ekonomia italiane, e cila përbën burimin tjetër kryesor të dërgesave për Shqipërinë gati u rikthye në stanjacion në tremujorin e katërt, me rritje ekonomike të papërfillshme vetëm 0.1 për qind.
Dërgesat
Në total për të gjithë vitin 2015 emigrantët shqiptarë kanë dërguar pranë familjeve të tyre rreth 599 milionë euro me një rritje prej 1 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritja e fortë e dërgesave në gjashtëmujorin e parë ka shmangur rënien e tyre në terma vjetorë. Dërgesat nga jashtë janë një burim i rëndësishëm për dhjetëra mijë familje në Shqipëri. Ato arritën rekordin në vitin 2007, kur Shqipëria përfitoi rreth 1 miliardë euro remitancat. Por menjëherë sapo ekonomia europiane u përfshi nga kriza dërgesat filluan të binin me shpejtësi dhe aktualisht luhaten nga 500 deri në 600 milionë euro në vit.