Stoku i kursimeve në ekonomi arriti në 976 miliardë lekë në korrik, me një rritje prej 0.3% në bazë mujore (ose +2.7 miliardë lekë), e ndikuar nga monedha vendase. Rritja në korrik ka ardhur pothuajse tërësisht nga shtimi i kursimeve të korporatave financiare dhe jo financiare në lekë (përkatësisht me 46% dhe 6%).
Ndërsa, kursimtarët kanë vijuar që të tërheqin kursimet në lekë, një tendencë kjo që po konstatohet prej 5 vitesh, si rrjedhojëe politikës lehtësuese monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që ka ulur normën bazë gradualisht, duke e zbritur aktualisht në minimumet historike prej 1.25%. ulja e normës bazë është shoqëruar dhe me kthim të ulët nga depozitat, që ka zbritur në rreth 1% për kursimet vjetore (nga rreth 2% që është inflacioni mesatar vjetor). Në korrik kursimet me afat të individëve në lekë ranë me 2.5 miliardë lekë.
Në të kundërt, individët i janë rikthyer preferencës në euro, duke i lënë ato kryesisht në llogari rrjedhëse (+ 2 miliardë lekë në korrik).
Me bazë vjetore (korrik 2018/korrik 2017), depozitat në total janë tkurrur me 1.8%. Kjo rënie ka ardhur pothuajse tërësisht nga reduktimi i depozitave me afat të individëve si në lekë ashtu dhe në valutë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat me afat në lekë dhe në valutë të individëve kanë rënë me 41 miliardë lekë, ose gati 310 milionë euro në një vit (60% e rënies ka ardhur nga monedha vendase dhe pjesa tjetër nga valuta.
Në fund të muajit korrik, depozitat në valutë përbënin 52.7% të totalit, nga 52.4% në të njëjtin muj 2017, duke shfaqur një tendencë rritëse, pavarësisht stategjisë së Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e euroizimit në ekonomi.
“Monitor”