“Monitor”
Alarmante janë sinjalet se kriza e besimit në politikëbërje po kthehet në një krizë besimi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Publiku po gjendet mes irracionales, që po i imponohet virtualisht nga të katër anët dhe përditshmërisë reale, që është e një dimensioni krejt tjetër. Dhe secili (individ apo biznes) po zgjedh të reagojë në mënyrën e vet….
Filmi me tematikë nga jeta reale shqiptare është gjithçka përveçse i mërzitshëm. Skandale seksuale, akuza dhe kundërakuza mes politikanëve që shpesh i kalojnë kufijtë e etikës, negociata të stërzgjatura për reformën në drejtësi, që edhe kur duket sikur mbarojnë, kthehen papritmas në pikën zero, dekriminalizimi etj., etj., janë ushqimi i përditshëm, i mediave.
Dhe përmes këtyre të fundit, informacioni i përçohet publikut, që bombardohen minutë pas minute me lajme sensacionale. Një publik që po gjendet mes irracionales, që po i imponohet virtualisht nga të katër anët dhe përditshmërisë reale, që është e një dimensioni krejt tjetër. Dhe secili (individ apo biznes) po zgjedh të reagojë në mënyrën e vet.
Mbi 100 mijë shqiptarë u dyndën dyerve të vendeve të Bashkimit Europian vitin e kaluar, në një protestë diskrete ndaj zhgënjimit shumëvjeçar ndaj politikëbërësve, që përkundrejt pritshmërive të larta nuk shfaqi asnjë shenjë përmirësimi dy vitet e fundit, përkundrazi. Megjithatë, shumica e tyre po detyrohen të kthehen (javën e kaluar një avion mbërriti nga Holanda) sepse Bashkimi Europian na e ka bërë të qartë: Prioritet kanë refugjatët e tjerë, që po i ikin luftës, ndërsa Shqipëria ka hyrë në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe Europën duhet ta krijoni aty.
Të tjerë kanë zgjedhur të bëjnë indiferentin, teksa nuk e fshehin zhgënjimin, lodhjen e post tranzicionit dhe humbjen e besimit. Një indiferentizëm ky që nuk është pa pasoja, pasi ul llogaridhënien e publikut ndaj politikëbërësve, por edhe reagimin e tyre ndaj reformave të ndryshme. Një shembull i thjeshtë: Konsumatorët nuk shprehin aktualisht asnjë interes për të marrë kuponin tatimor, edhe pas fushatave të ndërgjegjësimit e masave ndëshkimore, që u ndërmorën në kuadër të aksionit antiinformalitet, pikërisht sepse nuk kanë besim se paratë e taksave do të mirëpërdoren në interes të tyre. Indeksi i besimit të konsumatorëve të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë të vitit tregoi për një rënie të këtij treguesi dhe shtyrjen e vendimeve për blerjet e mëdha. Të dhënat zyrtare të INSTAT flasin dhe për një rënie të konsumit privat në 2015-ën, për herë të parë që nga viti 2001.
Bizneset, nga ana tjetër, janë në një krizë ekzistenciale. Sipërmarrjet e vogla, që kanë qenë oksigjeni i ekonomisë dhe vetëpunësimit, kanë hyrë në një cikël rënës të pakthyeshëm, që më së shumti është strukturor (pas 25 vitesh shumë biznese mikro nuk po arrijnë të mbijetojnë më për shkak të shtimit të konkurrencës dhe rënies së konsumit), por që agonia e tyre po përshpejtohet nga politikat fiskale. Kujtojmë këtu ambientin negativ të krijuar nga terrori antiinformalitet në muajt e fundit të 2015-ës (që për fat të mirë politikëbërësit u ndërgjegjësuan dhe u tërhoqën), apo dhe barrën e shtuar të taksave lokale në kryeqytet, ku statistikisht kanë aktivitet gjysma e ndërmarrjeve në Shqipëri.
Sipërmarrjet e mëdha në kahun tjetër, edhe ato në krizë maturimi, kanë ulur investimet. Indeksi i besimit të Bankës së Shqipërisë tregoi rënie të ndjeshme edhe për këtë kategori të rëndësishme për ekonominë e vendit dhe punësimit. Gjithnjë e më shumë po ndesh sipërmarrës të mëdhenj që thonë se janë gati të shesin gjithçka dhe të ikin sa më parë nga sytë këmbët.
Ekonomia është sa shkencë, aq edhe psikologji. Një shembull i qartë i kësaj është mungesa e reagimit të ekonomisë ndaj politikës agresive lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në 1.25%. Ndonëse kosto e parasë është më e lirë se kurrë ndonjëherë, askush nuk i do, sepse nuk ka çfarë ta bëjë në një ambient ku të gjithë janë të pasigurt. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë po e përsërit shpesh që ata e kanë bërë të vetën dhe për të siguruar rritjen afatgjatë ka nevojë për reforma strukturore dhe për përmirësimin e klimës e besimit te biznesi e individët. Por, kjo thirrje po bie në vesh të shurdhët. Askush nuk e ka mendjen. Reforma në drejtësi, që do nxiste investimet, po shtyhet e po shtyhet. Parlamentarët janë shumë të zënë me hallet e veta, nga dekriminalizimi e konfliktet e brendshme.
Dhe më alarmante janë sinjalet se kriza e besimit në politikëbërje po kthehet në një krizë besimi për të gjithë shoqërinë shqiptare. Nuk është vetëm dëshira e shtuar për të ikur jashtë. Të dhënat e fundit të INSTAT për vitin 2015 janë vërtet tronditëse: Më 2015, numri i vdekjeve është rritur me 8% në krahasim me një vit më parë. Teksa numri i lindjeve është ulur me 8.5%, abortet i janë rikthyer rritjes. Nga ana tjetër, martesat që shkuan në divorc ishin 24% më shumë se në vitin 2014. Dhe pikërisht ky është rreziku më i madh që degradimi i politikës rrezikon një “shthurje” të së gjithë shoqërisë shqiptare, me pasoja të rënda ekonomike e sociale, nëse nuk ndërhyhet sa nuk është vonë.