Alarm në mbrojtjen juventine. Bardhezinjtë po përballen me mjaft probleme në repartin e prapavijës, jo për nga numri i golave të pësuar, por për shkak se shumë futbollistë janë të dëmtuar. Lajmi i keq është konfirmimi nga stafi mjekësor se Leonardo Bonuçi duhet të qëndrojë larg fushave për 2 muaj. Andrea Barzagli, pritet të rikthehet vetëm në janar të 2017-ës, ndërsa një tjetër mungesë tejet e rëndësishme për kampionët e Italisë është ajo e brazilianit Dani Alves, i cili ka pësuar frakturë në këmbën e djathtë. Sipas stafit mjekësor të “Zonjës së Vjetër” 33-vjeçari mund të jetë sërish në dispozicion të trajnerit Masimiliano Allegri vetëm në muajin shkurt. Me mbrojtjen të gjymtuar, për drejtuesin e stolit bardhezi kanë nisur dhembjet e kokës.
Për të qetësuar disi situatën mendon administratori i Përgjithshëm i Juventusit, Beppe Marotta, që në merkaton e dimrit do të ndërhyjë për të transferuar në Torino, një emër i cili do të ofrojë garanci në repartin difensiv. I pari në këtë listë është lojtari i Chelsea-t, Bratislav Ivanoviç. 32-vjeçari nuk po gjen hapësira në formacionin e Antonio Contes dhe cilësohet si një prej emrave që do të preken nga revolucioni në radhët e bluve të Londrës. Transferimi i tij ishte planifikuar gjatë merkatos së verës, por planet ndryshuan. Për të konkretizuar mundësinë e afrimit të Ivanoviç te Juventusi, pritet që së shpejti palët të ulen në bisedime.