Bojkotimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike opozitare dhe mospjesëmarrja e disa deputetëve të koalicionit qeverisës në seanca parlamentare ka ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit, duke e futur atë në një krizë institucionale dhe duke përgjysmuar numrin e ligjeve të parapara për t’u votuar, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Instituti Demokratik i Kosovës, i cili bën monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, e konsideron të ulët dinamikën e punës së Kuvendit dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka ky institucion për të trajtuar ligjet dhe çështjet e tjera.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” se intensiteti i mbajtjes së seancave plenare është zvogëluar dukshëm dhe është në shpërputhje me nevojat dhe përfaqësimin e qytetarëve. Ai shton se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar me këtë vit, ka 22 seanca parlamentare më pak. E gjithë kjo, sipas Kryeziut, ka marrë profilin e një krizë parlamentare.
“Gjithsesi mungesa e deputetëve të partive në pushtet, që janë në koalicion e që kanë dy të tretat në Parlament, si dhe mundësia e tyre për t’i pasur të gjithë deputetët e tyre në Parlament, shpërfaq fillimin e një krize parlamentare, e cila pati filluar me kundërshtimet e opozitës dhe tani ka kundërshtime apo jo mbarëvajtje të vetë subjekteve që udhëheqin me qeverinë apo pushtetin në Kosovë”, thekson Kryeziu.
Me këtë dinamikë të ulët të punës së Kuvendit të Kosovës, thekson Kryeziu, Kosova nuk do të arrijë t’i përmbushë obligimet që i ka, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. “Ne kemi shumë sfida dhe nevoja që janë si rezultat i ecjes përpara, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe në aspektin e jashtëm të politikave ndërkombëtare dhe të gjitha këto janë ngecje dhe në disfavor për pritjet e qytetarëve dhe hapat që e presin shtetin e Kosovës”, thotë Kryeziu. Muaji gusht është koha kur deputetët e Kuvendit të Kosovës i japin fund sesionit pranveror, për të shkuar në pushime prej një muaji.
Deputetët e partive në pushtet dhe atyre opozitare thonë se në Kuvendin e Kosovës janë paraqitur vështirësi në përmbushjen e axhendës legjislative. Selvije Halimi, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Legjislacion nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se mungesa e opozitës në Kuvendin e Kosovës ka penguar në njëfarë mënyre përshpejtimin e procedurave legjislative. “Mendoj se jemi duke shkuar me plan, por mungesa e opozitës në Kuvend domosdoshmërisht ndikon në përshpejtimin e procedurave të legjislacionit, sepse ne si pozitë tashmë jemi të ngarkuar dyfish më shumë dhe duhet të punojmë edhe për ata sa i përket bërjes së ligjeve. Po ashtu, vizitat që i kemi jashtë vendit po duhet të koordinohen me qëllim që të kemi kuorum në aprovimin e ligjeve”, thekson Halimi.