Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj ka pritur në një takim ambasadoren e Kroacisë, Sonja Bujas Juraga.
Ministri Dervishaj dhe ambasadorja Juraga theksuan se, marrëdhëniet politike mes dy shteteve janë të shkëlqyera, por duhet bërë më shumë në forcimin e raporteve ekonomike dhe në transport.
Ambasadorja Juraga tha se, shumë shpejt Shqipërinë do e vizitojnë përfaqësues të Portit të Rijekës, për të diskutuar nga afër me palën shqiptare për fillimin e një linje direkte trageti, Durrës-Rijeka.
Ministri Dervishaj deklaroi se një nga synimet e tij, është zhvillimi i transportit detar, që ka potencial shumë të madh, por ende të pashfrytëzuar.
Ambasadorja Juraga tha se ka interes në rritje nga pala kroate për vendosjen e një linje direkte fluturimi Zagreb-Tiranë.
Zoti Dervishaj tha se Ministria e Transportit është e angazhuar maksimalisht, për të krijuar lehtësirat e nevojshme për të bërë të mundur vendosjen e një linje direkte trageti dhe ajrore mes dy vendeve.