Kronika e një atentati të paralajmëruar

Një i vdekur – Jo, dy të plagosur – Staf i rrëmbyer – Rebelim!

Një breshëri lajmesh nisën të qarkullonin mesditën e 15 dhjetorit, ku në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit po përjetohej ngjarja ndoshta më e rëndë.

Të shtëna me armë nga të burgosurit.

Ngjarja ishte tentuar të mbahej e fshehtë nga autoritetet derisa të vendosnin nën kontroll situatën, ku një i burgosur, konkretisht i dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, sulmoi për vdekje një tjetër bashkëvuajtës, Arben Lleshin, dhe la të plagosur, Indrit Shaqjan.

Forcat e shumta të ndërhyrjes së shpejtë dhe ato operacionale u futën në ambientet e burgut. Aty zbarkoi drejtori i burgut, policisë dhe prokurori i Elbasanit.

Por vlen të theksohet se e gjitha ndodhi pasi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, lajmëroi se Sokol Mjacaj do të transferohet në regjimin Bis, të sigurisë së lartë.

Disa orë pas këtij lajmi ( gjë që duhet ta ketë mësuar dhe Mjacaj) ai ka dalë në ajrim dhe ka thirrur Arben Lleshin.

“Arben Lleshi, dil”, ishte thirrja e tij.

Ai doli – thuhet se ata as nuk njiheshin – dhe plumbat i vërshuan në qafë.

Padashje plumbat kanë prekur edhe Shaqjan.

Arsyeja, sipas deklarimeve të mëvonshme të Mjacajt: “Nuk më pranoi në sektor” (tezë e hedhur poshtë nga Prokuroria).

Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.

Pas disa orësh bisedime dhe pasi iu dha siguri për jetën, ai ka hedhur armën poshtë.

Ka marrë prangat dhe ka lidhur duart në kangjella.

Këtu ka marrë fund rebelimi i tij, por ka nisur një karvan i gjatë hetimesh. Jo vetëm për të, por edhe për të gjithë zinxhirin komandues në burg.

Shumë gabime, shumë mangësi dhe pyetje pa përgjigje.

Por Prokuroria e ka të qartë.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, konkretisht këqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes dhe akteve shkresore të administruara, arma e zjarrit është futur në burg dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Mjacaj për një kohë rreth 20 ditë.

20 ditë, një armë e mbajtur në burg, përkundrejt kontrolleve – nëse ka pasur ndonjë të tillë.

“Arma dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi të brendshëm”, thotë Prokuroria.

E thjeshtë. Në vijim të veprimeve hetimore ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik.

Kjo duke nisur që nga dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.

Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjacaj rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale.

E fundit, Prokuroria thotë nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin.

Ka shumë dritëhije dhe teori, por ajo që mbizotëron është pagesa për të kryer vrasjen.

Mjacaj nuk do ta refuzonte një gjë të tillë, duke qenë se vrasjet i ka nisur që në moshën 13-vjeçare – e ndonjëherë pa mëshirë.

Për një varëse, për disa monedha. Për Mjacajn këto vlejnë më shumë se jeta e njeriut.

E sa i takon viktimës, ende pritet të sqarohet lidhja me autorin, apo edhe ndoshta pretë e tij të dikurshme…

albanianpost

Exit mobile version