Kronologjia e krimit/ Dëshmitë kontradiktore për vrasjen e Egli Progës, zbardhet dosja hetimore! Prokuroria nuk hap dot telefonin e viktimës, ja arsyetimi

Në vazhdën e hedhjes së akuzave ndaj njëratjetrës për vrasjen e Egli Progës, policia, prokuroria dhe gjykata kanë vijuar sërish betejën.

Dje, gjykata publikoi vendimin, bashkë me argumentimin gjyqësor ndaj kërkesës së bërë nga prokurorja e çështjes për ndryshimin e klasifikimit të veprës penale nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia. Gjykata pranon se nuk e kundërshtoi kërkesën e prokurores, ashtu siç prokuroria dy ditë më parë bëri me dije se ndryshimi i akuzës erdhi nga materiali që kishte referuar Policia e Pogradecit për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Eglantin Progës pasditen e 10 gushtit në qytetin e Pogradecit.

Në vendimin e gjykatës ka detaje të shumta, që nga këqyrja paraprake e kufomës deri te dëshmitë e autorit të vrasjes. Gjykata thotë se autori i krimit, i cili sipas gjykatës dhe prokurorisë nuk ka pasur qëllim të vriste Progën, rezulton i padënuar më parë. Por ditën e djeshme, mediat lokale bënë me dije se në fakt ai është prangosur të paktën 4 herë dhe për akuza edhe të rënda, deri edhe në kundërshtim të forcave të rendit.

Por ajo që bie në sy në vendimin prej 17 faqesh të Gjykatës së Korçës është fakti se Denis Meçe në dëshminë e tij ka treguar se i ndjeri ishte aq shumë i pirë sa e ka thërritur jashtë që t’i jepte një shpullë dhe të përmendej që të mos shante më atë dhe dy shokët e tij në tavolinë, duke lënë të kuptohet se autori nuk ka qenë i dehur. Më pas vijon në të njëjtin rrëfim se isha i pirë dhe u largova nga vendi i ngjarjes dhe fjeta në makinë në rrugë. Më poshtë sjellim fakte dëshmi dhe arsyetim gjyqësor në lidhje me gjithçka ndodhi në trekëndëshin e drejtësisë për vrasjen brutale të Eglantin Pogës!

VENDIMI I GJYKATËS

Prokuroria kërkoi masë arresti me burg për Denis Meçen për “vrasje nga pakujdesia” dhe 3 me “detyrim paraqitjeje” për “moskallëzim krimi”, për pronarin e lokalit Voltan Shkulaku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe. Prokuroria e Korçës e dorëzoi dosjen për masë sigurie ndaj 4 të dyshuarve më 12 gusht 2024 (ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 gushtit) në Pogradec.

Në dosje theksohet se ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të 10 gushtit (e shtunë), në lagjen nr. 2 të Pogradecit, vendi i quajtur “Agjensia”, te rreth-rrotullimi dhe përballë lokal “Stropcka”, që është në pronësi të Voltan Shkulaku. Në aktet e para të hetimit përcaktohet se Eglantin Proga, 42 vjeç, nga fshati Trebinjë, është gjetur i shtrirë dhe pa ndjenja në rrugë dhe më pas vdiq në spital. Nga këqyrja e lokalit të Shkulakut nuk janë vënë re çrregullime në ambientet e brendshme dhe të jashtme. U gjet një kartëpecetë e bardhë me njolla si të gjakut, 1,9 metra nga lokali dhe buzë trotuarit.

Në një nga tavolinat e brendshme të lokalit u gjet një çantë e zezë dore lëkure, me mbishkrimin “Polo”, kuti duhani, cigare e dredhur, celular “Samsung” me ekran të krisur, portofol, dokument bankar, filtra me mbishkrim “Ocb”, sipas procesverbalit hetimor në pronësi të viktimës Eglantin Proga. Celulari sipas hetimit kërkon kodin e hyrjes. Nga këqyrja e viktimës nuk u gjetën kocka të dëmtuara, por në ballë ka hematomë, në pjesën e hundës gjithashtu dhe në mollëz ka gërvishtje. Çarje dhe gjak nga syri i majtë dhe që përfundonte në pjesën e veshit.

Gjak dhe çarje në buzën e poshtme, me diametër 1 cm. Dëmtime në vesh, bërryl, në sup dhe buzën e sipërme dhe në pjesën e gjurit gjithashtu një dëmtim 4 cm. Gjithashtu edhe shenjat e elektrodave gjatë përpjekjeve të mjekëve për elektroshok që ta mbanin në jetë (por që nuk përcaktohen ende se nga kanë ardhur dhe pritet ekspertiza e detajuar mjeko-ligjore).

Nga kontrolli fizik rezultoi se u gjetën dy karta bankare, portofol, 2 karta anëtarësie të Partisë Socialiste në emër të tij dhe bashkëshortes, një letër e vjetër me shënime (ende e papërcaktuar) dhe shuma lekësh e valute, 8700 lekë dhe 5 euro në xhepin e djathtë. Në portofol u gjetën 2 prerje 2000 lekëshe. Gjithashtu në portofol u gjet edhe leja e drejtimit të automjetit.

DËSHMIA E PRONARIT

Pronari i lokalit, Voltan Shkulaku, ka dhënë dëshmi për Policinë duke thënë se viktima që e njihte edhe si Igli i Nazmiut (Eglantin Proga), ka hyrë në lokal rreth orës 19:00 dhe dukej se kishte konsumuar alkool edhe te lokali i tij që ka në pronësi. Ka porositur një birrë dhe u ul në tavolinën ku ndodhej shoku i pronarit Andi Shkulaku.

Kur ka shkuar të pastronte banakun, sipas tij, Igli ishte futur në tualet. Më tej nuk mbante mend nëse viktima ishte ulur përsëri apo kishte dalë nga lokali, por kishte dëgjuar zëra të lartë për ndihmë dhe i hutuar ka dalë me një bidon uji. Shkulaku ka rrëfyer se është përpjekur t’i japë ndihmën e parë Iglit të Nazmiut, pasi s’ia dinte mbiemrin dhe i ka hapur gojën për t’i nxjerrë gjuhën.

Pronari i lokalit thotë se kamera e lokalit nuk regjistronte dhe se filmonte vetëm një moment dhe asgjë tjetër. “Igli nuk është zënë me njeri aty sa isha unë. Më tha se ishte i mërzitur dhe se do e mbyllte lokalin”, – ka qenë dëshmia e pronarit në bisedën e shkurtër me viktimën.

KUSHËRIRI I VIKTIMËS

-Kushëriri i viktimës, Ardian Bego, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, ku ka shpjeguar se në mbrëmje ka shkuar te një dyqan veglash ndërtimi dhe rreth orës 18:45 ka parë një person që goditi me grusht në fytyrë një tjetër, i cili u rrëzua në asfalt. Distanca ishte 50 metra. Bego tha se pronari i dyqanit i kishte thënë se personi i rrëzuar ishte Eglantin Proga, kushëriri im. Pashë pronarin e lokalit që doli dhe po i jepte ndihmën e parë.

Shkova dhe pashë se Egli ishte pa ndjenja dhe kërkova që ta çonim me makinë të rastit në spital. Erdhi ambulanca dhe pashë se aty ai s’po jepte shenja jete. Mjekët më thanë se edhe pas goditjeve me elektroshok ai nuk dha shenja jete. Mjekët më konfirmuan se Egli ndërroi jetë dhe njoftova familjen. Bego thotë se viktima kishte lokalin e tij 30 metra nga vendi i ngjarjes. Ardian Bego ka dhënë shpjegime edhe nëse identifikoi autorin e goditjes me grusht, por tha se nuk kishte arritur ta fiksonte, sepse s’e pa ngjarjen nga fillimi. Por ai përmend një emër personi si Klodi, që mund ta kishte parë konfliktin.

“Atij iu luta që me makinën e tij të çonim Eglin në spital, por ai nuk pranoi”, – ka dëshmuar kushëriri i viktimës. Ardian Bego dëshmon se nuk kishte dijeni që kushëriri i tij të kishte ndonjë konflikt dhe se në vendngjarje ka fiksuar dhe njohur vetëm pronarin e lokalit, që thirrej Voli.

DËSHMIA E AUTORIT

-I dyshuari Denis Meçe gjithashtu ka dhënë dëshmi se kishte zbritur në qytet dhe ishte takuar pasdite me mikun e tij Klodi Guçe, teksa aty ishte ulur edhe personi me emrin Arjan, taksixhi që bënte rrugë jashtë vendit. “Pimë për gati 3 orë dhe biseduam për gjëra të ndryshme, kryesisht udhëtimet. Aty pashë se një person që e njoh si fytyrë por jo emrin, (Eglantin Proga), hyri në lokalin “Stropcka” dhe përshëndeti tavolinën tonë. Ai hyri brenda, në ishim jashtë. Në një moment më mbaruan cigaret dhe i kërkova pronarit të lokalit një, por ky (Egli), më tha “ja se ta dredh unë një”. Për respekt ia mora. Por sa ktheva kurrizin për të dalë ky më shau “ta q… racën”.

Nuk ia vura re dhe dola jashtë dhe u ula në tavolinë. Ky vazhdonte të shante me të njëjtat fjalë. Madje edhe shokun tim Klodi, duke i përmendur emrin e të ëmës. Në këtë situatë, i thashë “ore çfarë ke që shan”, por ai vazhdonte dhe në këtë moment i kam thënë “hajde dalim pak jashtë”. Ai m’u përgjigj “po hajde, çfarë do më bësh, do më hash k…in!”. Unë kam dashur t’i fus një shpullë që ta qetësoja, por sa ngrita dorën ai u rrëzua dhe nuk u ngrit më. Mua nuk mu besua dhe u largova i frikësuar”.

Më tej, Meçe ka shpjeguar se ai kishte pirë gjithë ditën dhe madje viktima gjithashtu ishte i dehur. Kishte shkuar në Buçimas ku kishte fjetur në makinë për shkak të gjendjes së dehur dhe më pas kishte telefonuar avokatin e tij, që i ka shpjeguar se personi kishte ndërruar jetë. -I dyshuari Denis Meçe rrëfen se pasi mori vesh fatalitetin, i ka thënë avokatit që ta merrte dhe të shkonin në Polici për të dhënë deklarime.

“Nuk kam pasur për qëllim që të kishte atë pasojë apo t’i bëja keq. Nuk kam pasur asnjë konflikt me të dhe desha vetëm ta trembja pasi ishte shumë i dehur dhe mezi e mbanin këmbët”, – ka thënë i dyshuari. Meçe mohon që të ketë përdorur sende të forta apo të kishte persona të tjerë të përfshirë, ose që ta kishte goditur me grusht.

“I kërkoj falje familjes së viktimës, jam i tronditur dhe rënduar psikologjikisht. Nuk kisha atë qëllim dhe me vjen keq, ndihem i penduar, por isha shumë i dehur”, – ka rrëfyer ndër të tjera i dyshuari.

Exit mobile version