Në javën e fundit të mbetur në merkaton e transferimeve, Berat Gjimshiti mund të largohet nga Atalanta. Megjithatë, karriera e mbrojtësit shqiptar pritet të vazhdojë në Serinë A italiane. Sipas “Gazzetta dello Sport”, kalabrezët që fundjavën e kaluar debutuan për herë të parë në histori në elitën e futbollit italian, janë të interesuar për shërbimet e mbrojtësit 23-vjeçar.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Davide Nicola është në kërkim të dy lojtarëve për të përforcuar repartin difensiv dhe Gjimshiti është një alternativë që pëlqehet, për faktin se mund të aktivizohet në qendër, por edhe si mbrojtës krahu. Në ndeshjen e parë sezonale të humbur minimalisht në fushën e Bologna-s, “peshkaqenët” zbritën në fushë me formacionin 3-4-3, i cili i garantoi një vit më parë ngjitjen në Serinë A. Por, në futbollin e të mëdhenjve, ku Crotone duhet të mendojë të pësojë sa më pak gola, mund ta bindë stafin teknik të ndryshojë rreshtimin në fushë dhe me eksperiencën e kualitetin që zotëron Gjimshiti vlerësohet si një përforcim i rëndësishëm në këtë drejtim.
Në ndeshjen e parë të sezonit, ku Atalanta u mposht 4-3 në shtëpi nga Lazio, Gjimshiti nuk ishte as në stol, ndërsa prej transferimit në stadiumin “Atleti Azzurri” në janar të këtij viti, ka luajtur vetëm në tre ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar, pasi skuadra realizoi objektivin për mbijetesën në Serinë A.
Nga ana e tij edhe mbrojtësi kuqezi do të pranonte të largohej nga Atalanta, ku vazhdon të vuajë mungesën e hapësirave te bergamaskët. Transferimi te Crotone për një rol protagonisti do t’i shërbente Gjimshitit edhe për kombëtaren shqiptare, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2018. Pas dëmtimit të Ajetit, ai është shndërruar në kandidatin kryesor për të luajtur përkrah Mavrajt në miqësoren e 31 gushtit me Marokun dhe në sfidën e parë kualifikuese, ndaj Maqedonisë më 5 shtator.