Krushqit përleshen me thika, 2 të plagosur në Korçë

Detaje të reja janë zbardhur nga policia lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në periferi të Korçës, ku 2 persona kanë përfunduar në spital të plagosur me thikë. Burime zyrtare bëjnë me dije se, si autorë janë arrestuar at e bir, pasi në bashkëpunim mes tyre, plagosën rëndë me mjete të forta krushkun e tyre dhe djalin e tij. Në pranga janë vënë Petrit Çaushllari, 47 vjeç, si edhe djali i tij Emiljano Çaushllari, 21 vjeç, të dy banues në fshatin Buçimas-Pogradec.
Arrestimi i tyre u bë pasi, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjete të forta në kokë dhe trup, shtetasit P.B, 60 vjeç, si edhe djalin e tij shtetasin S.B, 26 vjeç, në banesën e këtyre të fundit.
Nga hetimet e kryera rezulton se autorët e dyshuar të ngjarjes, kanë lidhje krushqie me dy të plagosurit, pasi vajza e Petrit Çaushllarit është nusja e djalit të shtetasit P.B dhe kunata e S.B. Shtetasi P.B, aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës, nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Katër shtetasit e mësipërm dyshohet të jenë përfshirë në këtë konflikt fizik mes tyre pas një debati për motive të dobëta, midis shtetasit P.B. dhe nuses të djalit të tij. Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.

Exit mobile version