Kryebashkiakia e Prrenjasit, Miranda Rira, e zgjedhur nga radhët e LSI 4 vite më parë, ka deklaruar se “as unë nuk e liroj zyrën e bashkisë”.
Në një mesazh në Facebook, Rira shprehet se, “zyra e bashkisë nuk është e imja, ajo është e qytetarëve të Prrenjasit, me të cilët unë kam një kontratë sociale qëkurse ata më zgjodhën 4 vjet më parë! Ajo zyrë, do të mbetet e tyre, derisa në krye të saj të vijë ai/ajo që do të zgjedhin me votë të lirë vetë banorët dhe qytetarët e Prrenjasit dhe jo Partia Socialiste”.
“Votime moniste, me një parti në garë! Njësoj sikur të luajë në fushë vetëm një skuadër! Rezultati dihej! Të gjithë shqiptarët e dinin se kush do të ishin “fituesit” e këtyre votimeve! Epo kjo nuk është garë!
Që dikush të vijë në krye të bashkisë së Prrenjasit, duhet ta meritojë atë! Të hyjë në një garë reale, me kundërshtarë realë dhe jo imagjinarë! Ashtu sikurse unë erdha në atë bashki, përmes një konkurrence të fortë dhe reale, jo përmes zgjedhjesh monopartiake!
Zyra e bashkisë nuk është e imja, ajo është e qytetarëve të Prrenjasit, me të cilët unë kam një kontratë sociale qëkurse ata më zgjodhën 4 vjet më parë! Ajo zyrë, do të mbetet e tyre, derisa në krye të saj të vijë ai apo ajo që do të zgjedhin me votë të lirë vetë banorët dhe qytetarët e Prrenjasit dhe jo partia socialiste.
Askush nuk do dhunojë zyrën dhe qytetarët, duke ardhur në krye të saj, pa votë dhe pa zgjedhje të lira e demokratike! Askush! Zgjedhjet e lira dhe të barabarta janë thelbi i demokracisë! Këto që pamë të dielën, ishin modeli më i shëmtuar i tyre! Shihemi në 13 Tetor bashkë, datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës! Deri atëherë, shumë zhvillime të reja na presin!”, shkruan Rira në mesazhin e saj.
Në zgjedhjet e para katër viteve ku Miranda Rira u shpall fituese, ishte kryeministri Edi Rama që e prezantoi atë para zgjedhësve të saj, së bashku me Ilir Metën, atëhërë kryetar i LSI-së.
Rama e cilësoi “një profesioniste e zonja, njohëse e shkëlqyer e fushës së çështjeve sociale me vullnetin e duhur për të qenë kryepunëtorja dhe kryeshërbëtorja e qytetarëve të bashkisë së re të Përrenjasit në adresimin e problemeve sociale, mungesën e shërbimeve dhe mungesën e projekteve të zhvillimit… Vota për Miranda Rirën, është vota në drejtimin e duhur”, u shpreh atëherë Rama.