Emisioni investigativ “Stop” denoncoi një rast skandaloz në Zyrën Arsimore të Gramshit. Një rast, që ashtu si Liza Tabaku, provon punësimet korruptive që kryhen nga zyrtarët e shtetit në sistemin arsimor. Të implikuar në këtë aferë korruptive dhe të abuzimit me detyrën janë Kryetarja e Bashkisë së Gramshit, Luljeta Dollani (PS) dhe kryetari i Zyrës Arsimor të Gramshit, Xhevit Dyrmishi.
Alma Jonuzi iu drejtua emisionit për të denoncuar pushimin nga puna si mësuese Matematike, pa motivacion, pas 15 vjetësh punë. Pas interesimit të “Stop” ajo telefonohet nga një punonjës i Zyrës Arsimore të Gramshit, Ramazan Llaha, i cili i premton se nëse tërheq denoncimin, do të rikthehet në punë.
Në mesin e zhurmës së shkaktuar nga denoncimi publik në media, mësueses së shkarkuar i kërkohet takim edhe nga kryetarja e Bashkisë së Gramshit, Luljeta Dollani, e cila i premton ta rikthejë brenda javës në punë.
Më parë, financierja e Zyrës Arsimore, Flutura Sinani, në një tjetër video, e kishte kërcënuar se nëse nuk do të tërhiqte denoncimin, nuk do të fillonte kurrë punë sa të ishte ajo në atë detyrë. Mësuesja i kujton financieres se një vit më parë i ka dhënë 1.5 milionë lekë (të vjetra) për të mos e larguar nga puna.
Denoncimi i “Stop” nxjerr në pah disa skandale të njëpasnjëshme. Ai tregon se si vazhdon të funksionojë shteti nën qeverinë e Edi Ramës, se si korrupsioni vazhdon të qëndrojë këmbëkryq në prehërin e çdo zyrtari apo punonjësi të thjeshtë të lidhur me shefat, se si njerëzit vazhdojnë të pushohen pa motiv nga puna, ku kanë investuar gjithë jetën e tyre, se si bëhen punësimet duke paguar para nën dorë, se si zyrat e shtetit përdoren për korrupsion, se si një administratë e korruptuar në çdo qelizë.