Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe shefi i Komisariatit të Policisë së Krujës, kanë disa plantacione të mbjella me kanabis. Denoncimi është bërë nga një punonjës policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Sali Berisha. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha ka denoncuar me foto dhe emra konkretë plantacionet e drogës dhe kanabisit kryebashkiakut dhe shefit të Policisë së Krujës. Berisha teksa ka publikuar të plotë mesazhin e një qytetari dixhital, zbulon edhe lejtnantët e Noriegës sipas tij, të cilat janë Artur dhe Ilir Bushi. Në këtë denoncim të Berishës akuzohet drejtpërdrejt edhe shefi i Policisë së Krujës.
“Këto janë plantacionet e reja të lejtnantëve të Noriegës! Qytetari dixhital denoncon me foto plantacionet e freskëta të kanabisit të lejtnantëve të Noriegës: Artur dhe Ilir Bushi dhe Shefit të Policisë së Krujës, Kolonel Kanabisit! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.
“Si jeni Doktor, uroj të jeni mirë familjarisht! Desha të denoncoj te kjo faqja juaj një farsë që po luhet në Krujë. Në lumin e Drojës mbrapa fabrikës së çimentos Thumanë, Artur dhe Ilir Bushi, vëllai i kryetarit të Bashkisë kanë mbjellë 700 rrënjë kanabis në bashkëpunim me shefin e Policisë të Krujës. Në Malësi të Krujës, në përroin e Arrateshit, Islam Xaka në bashkëpunim me shefin e policisë ka mbjellë 1000 rrënjë kanabis, ku nuk e kap helikopteri që vjen vërdallë kot e bën sikur patrullon. Unë jam një polic i ri në këtë komisariat dhe i bie që në qoftë se gjendet, ta marrim ne përgjegjësinë e këto trafikantë e shefat e mëdhenj të mos i gjejë gjë. Të lutem anonim se ato janë tepër të rrezikshëm e na hedhin në rrugë”, shkruan efektivi i policisë.
Si u zbulua punishtja e drogës së Bushit
Vitin e kaluar Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe SHISH zbuluan një punishte droge vetëm 100 metra larg rrugës nacionale, në fshatin Derven të Krujës që i përkiste klanit të Bushit. Në operacionin e organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë më 18 tetor, policia gjeti në punishte kultivuesit që vijonin të qetë punën për përpunimin e kanabisit dhe përgatitjen e tij për shitje. Pas një aksioni të koordinuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ u arrit kapja e kartelit të drogës, dhe u sekuestruan 1.3 tonë kanabis sativa, që ishte në proces tharjeje dhe do të përpunohej për t’u bërë gati për tregtim. Një video brenda magazinës së drogës tregonte qartë mënyrën sesi ishin përshtatur ambientet e punishtes për të realizuar proceset e ndryshme për tharjen dhe përgatitjen e drogës.
Sistem tharje, me tela, rrjeta dhe tenda, ishin vendosur në lartësi të ndryshme të punishtes, për të mundësuar përgatitjen e kanabisit. Gjatë aksionit, janë konstatuar dy ambiente që shërbenin për tharjen e lëndëve narkotike, një magazinë dhe një banesë e pabanuar. Në brendësi të tyre u gjetën bimë narkotike të thara, në proces tharje dhe një pjesë e përgatitur për shitje. Gjatë operacionit u arrestuan 11 persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Një nga të arrestuarit ishte një i afërm i kryebashkiakut të Krujës, të cilit Bushi i kishte besuar procesin e tharjes të drogës dhe përgatitjes për shitje. Ai ishte edhe organizatori i transportit dhe kishte garanci të plotë në këtë aktivitet nga Bushi dhe rrjeti i tij në Policinë e Fushë-Krujës dhe të Krujës, të cilën e kontrollon tërësisht.
Prokuroria kishte nisur hetimet që në korrik të vitit të kaluar pas informacioneve të dhëna nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror. Informacioni ka qenë i shoqëruar me fotografi konkrete të parcelave të mbjella me hashash dhe emrat e personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal.