Drejtësia greke i ka përcjellë ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që fakton se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet mesditën e kësaj të marteje për të vendosur, nëse do të shkarkohet apo jo Kreshnik Hajdari.
RENDI I DITËS I MBLEDHJES SË KQZ
Çështje për shqyrtim rishtas:
1. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Pukë, me kandidatin nga lista shumemërore të subjektit “Partia Aleanca Arbnore Kombëtare”, z. Aleksander Nikollë Frroku”.
2. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Shijak, me kandidatin nga lista shumemërore të subjektit “Partia Socialiste e Shqipërisë”, z. Kadri Abdulla Metaliu”.
3. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Tiranë, me kandidatin nga lista shumemërore të subjektit “Partia Socialiste e Shqipërisë, zj. Xheni Namik Hatillari”.
4. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Devoll, me kandidatin nga lista shumemërore të subjektit “Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë”, zj. Giela Bardhi Hoxhalli”.
5. Projektvendim “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z. Kreshnik Riza Hajdari, Kryetar i Bashkisë Kuçovë, Qarku Berat, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Çështje të mbartura:
Projektvendim “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik 2021”.
Projektvendim “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 Mars 2022”.
DOSJA HAJDARI
Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.
Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.
Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme.
Tashmë i takon KQZ-së që në mbledhjen e caktuar për të martën në mesditë, të vlerësojë nëse këto të dhëna përfshihet në kufizimet e ligjit të dekriminalizimit çka mund edhe të rrezikojnë që kryebashkiaku të shkarkohet. Gjithashtu, do të pritet edhe nëse prokuroria do të nisë apo jo një hetim për “falsifikim të formularit të vetëdeklarimit.”
Ndërkohë, në Shqipëri, Kreshnik Hajdari nuk rezulton të jetë i dënuar dhe as të ketë ndryshuar emrin, sipas shkresave zyrtare nga Gjendja Civile dhe drejtoria e Burgjeve.