Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra është paditur penalisht për tjetërsim prone të një shtetasi në kohën kur ishte drejtor i ALUIZNI-t në Elbasan. Padia është bërë nga shtetasi Flamur Harri me banim në Elbasan pasi Kastriot Gurra kur ka qënë në krye të ALUIZNI-t nga viti 2013 deri kur u zgjodh kryetr bashkie në Librazhd, ka tjetërsuar disa prona. Gjatë kojhës që ka qenë në krye të ALUIZNI-t në Elbasan, Gurra është akuzuar për korrupsion në tjetërsimin e pronave ku edhe është paditur në Prokurori.
Bëhet e ditur se, shtetasi Flamur Harri para dy ditësh ka dorëzuar në Prokurorinë e Elbasanit një padi penale ndaj ish-kreut të ALUIZNI-t, Kastriot Gurra me akuzën se, ka legalizuar në truallin e tij të ligjshëm, duke bërë pronar një person tjetër, që nuk ka lidhje aspak me pronarin dhe pronat e tij. Harri u shpreh se ka bërë këtë kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të ALUIZNI-t të Qarkut Elbasan për tjetërsim prone. Sipas Harrit, Gurra ia ka dhënë pronën e tij një personi anonim, duke kryer një veprim antiligjor dhe korruptiv.
Harri thotë se kishte mbetur i shokuar nga një njoftim në gazetën lokale për qytetarët që nuk kanë tërhequr lejet për ndërtimet pa leje. “Në njoftimin e publikuar, ndër të tjera shikoj se në nr. rendor10 figuronte Fuat Ali Grada, (i ndjeri ka vdekur para pak kohësh), që ka bërë ndërtime pa leje pra të paligjshme në truallin e familjes Harri”, shprehet Flamur Harri. Sipas Harrit, ky person ka bërë pas vitit 1992, shtesa dhe ndërtime pa leje në truallin tonë, për ta finalizuar në muajt mars, prill, maj të vitit 2014, duke bërë dhjetëra metra katrore ndërtime pa leje, në shkelje të ligjit.
Ndër të tjera, në kallëzimin penal ndaj drejtorit të ALUIZNI-t Elbasan thuhet se, pronat e familjes Harri kanë një status të veçantë, pasi ato janë të konfiskuara për motive politike në vitin 1947 dhe u është kthyer me ligjin e të përndjekurve politikë. “Për arsye të veprimeve korruptive të pushtetarëve, prona është në një proces të tejzgjatur gjyqësor dhe aktualisht çështja është në Gjykatën e Lartë. Përveç statusit politik, prona jonë ndodhet në mes të Elbasanit dhe jo në zona informale. Që nga viti 2005, kam vënë në dijeni drejtuesit e ALUIZNI-t që të mos kryhet asnjë veprim zyrtar pa mbaruar procesi gjyqësor. Sa herë janë ndërruar drejtuesit, gjithmonë i kam vënë në dijeni me shkresa që të mos bëhen legalizime të paligjshme”, shprehet Harri.
Më tej, Harri thotë se të njëjtën gjë ka bërë dhe me drejtuesin e ri të ALUIZNI-t, Kastriot Gurra, i ardhur në krye të zyrës në vitin 2013. “Ky drejtues për habinë dhe zhgënjimin tim, lajmëronte personin anonim, për tërheqjen e lejes së legalizimit, një veprim sa antiligjor aq edhe korruptiv”, thotë Harri. Nisur nga këto veprime korruptive dhe legale, ai i ka kërkuar Prokurorisë Elbasan, nisjen e hetimit për këtë vepër penale të kryer nga ish-drejtuesi i ALUIZNI-t Elbasan, Kastriot Gurra, sot kryetyar i Bashkisë së Librazhdit zgjedhur nga PS. Ai i ka vënë në dispozicion organit të akuzës dosjen dhe hartat e pronave të tij.
Kastriot Gurra ka mbështetjen e Ramës dhe Taulant Ballës, pasi ishin këta të dy që e mbështetën në zgjedhjet për kryetar Bashkie në Librazhd. Gjithsesi, pas padisë së bërë pritet që Gurra të thirret në Prokurorinë e Elbasanit.
Enton DOÇI