Situata në Tropojë vazhdon të jetë tepër e rënduar si pasojë e borës dhe ngricave, ndërsa qeveria nuk ka dhënë asnjë ndihmë. Kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Besnik Dushaj deklaroi mbrëmë për gazetën “RD” se, deri tani nuk është ofruar asnjë ndihmë nga qeveria për përballimin e situatës. Dushaj tha se, kishte kërkuar disa herë zyrtarisht ndihma nga qeveria. Ai tha se ka dërguar shkresa zyrtare me e-mail, ka folur në telefon me ministra e zyrtarë të Shtabit të Emergjencave, por askush nuk ka dënjuar të dërgojë qoftë dhe një fadromë për pastrimin e borës në akset rrugore të bllokuara, ndonëse i ishte premtuar nëpërmjet telefonit një e tillë.
“Gjysma e fshatrave janë të izoluara nga bora dhe pa drita. Rrugët janë të bllokuara. Ne kemi nxjerrë në terren të gjithë punonjësit, por është i pamundur përballimi i situatës. Sa pastrojmë një metër rrugë bora ngrin dhe rruga bllokohet sërish. I kemi kërkuar ndihmë emergjente qeverisë. Kemi komunikuar me e-mail, nëpërmjet telefonit dhe me të gjitha mënyrat, por nuk na është dhënë asnjë ndihmë nga qeveria. Ministria e Mbrojtjes na premtoi se do të dërgonte një fadromë për pastrimin e borës në rrugët kryesore, por nuk na e sollën. Asnjë ndihmë nga qeveria, ndërsa mijëra banorë ndodhen të izoluar dhe kanë nevoja emergjente në ushqime e ilaçe”, deklaroi kryebashkiaku Dushaj.
Shumë fshatra ndodhen të izoluara prej 3 ditësh, ndërsa rrugët janë të bllokuara. Bëhet e ditur se Dushaj i Epërm ndodhet i izoluar dhe pa drita prej 5 ditësh. Raja e bllokuar, po ashtu edhe Berisha. E gjithë krahina e Bytyçit ndodhet pa drita, 4 lagje Lekbibaj pa drita, Tplani 3 ditë pa drita, Salca pa drita e me mbi 1 metër borë, Kovaç e Ballaban të izoluara. Të moshuarit dhe fëmijët po ndiejnë më së shumti shkëputjen e dritave. Banorët kanë nevojë për ushqime e ilaçe, ndërsa ndihma e qeverisë është zero.
Ngrica dhe acari, mungesa totale e energjisë në fshatra e bën edhe më të papërballueshme situatën për banorët dhe mijëra familje të izoluara e të braktisura nga shteti.
Kukës, akset rurale të bllokuara
Situata vazhdon të jetë e rënduar edhe në Kukës e Shkodër. Në të tre këto bashki nuk është ofruar asnjë ndihmë nga qeveria për shkak se drejtohen nga kryebashkiakë të djathtë. Akset rurale Kukës-Shishtavec, Kukës-Shëmri dhe Surroj-Arrën dhe akset rurale të Njësisë Administrative Gjinaj, Bashkia Has, vijojnë të jenë të bllokuara. Mungesë energjie ka pasur në disa fshatra të Njësive Administrative, Bicaj, Tërthore, Zapod, Malzi, Grykë Çajë, Arrën, Kalis, Bushtricë dhe Ujmisht.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu deklaroi, se e gjithë administrata e bashkisë ndodhet në terren. “Po merremi me hapjen e rrugëve të njësive administrative dhe me urgjencat. Kemi angazhuar çdo mjet që ka në Kukës dhe me privatët. Po bëjmë maksimumin dhe kemi filluar të mbajmë nën kontroll situatën dhe njerëzit kanë rënë pak në qetësi”, deklaroi Shehu.
I gjithë Qarku i Kukësit është gdhirë dje i mbuluar me borë dhe nën një temperaturë shumë të ulët. Rënia e borës dhe erërat e forta që kanë shoqëruar këtë rajon, kanë bërë që ngricat të “pushtojnë” gjithçka, duke sjellë edhe ndërprerjen e energjisë elektrike për Kukësin dhe Hasin.
Lartësia e borës varion në qytete nga 20-30 cm e në zona rurale deri në 1,2 m në Qafë Shllak. Temperatura minimale -9.6 gradë celsius e maksimale -5 gradë celsius. Temperatura aktuale -8 gradë celsius.
Lartësia më e madhe e borës është shënuar në Valbonë, Qafë Shllak dhe Grykë Çajë. Të bllokuara janë Njësitë Administrative Grykë-Çajë, Kalis, Arrën, Surroj, Zapod, Topojan, Shishtavec, Malzi, e shumë fshatra në bashkitë Has e Tropojë.
Një nga akset më të rëndësishme në vend, rruga e “Kombit” vijon të jetë problem për qarkullimin e automjeteve. Në orët e natës, lëvizja e automjeteve është e rrezikshme për shkak të ngricave në rrugë.
Gjatë natës, rruga e “Kombit” është thuajse e pakalueshme. Gjatë ditës mjetet kalojnë me shumë vështirësi vetëm me zinxhirë. Mjetet pa zinxhirë bllokohen menjëherë. Apeli për të mos qarkulluar duket mundësi e vetme për të shmangur aksidentet.
Ulja e temperaturave ka shtuar ngricat në rrugë. Firmat mirëmbajtëse janë të pafuqishme për të shmangur situatën, megjithë ndërhyrjet e vazhdueshme. Segmenti i rrugës së “Kombit” nga Repsi për në Kalimash shfaq edhe problematikën më të madhe.
Më problematike paraqitetet segmenti rrugor nga Repsi në Kalimash. Trashësia e dëborës arrin deri në 70 cm, kurse era e përkeqëson më shumë gjendjen, duke hedhur vazhdimisht borë në rrugë. Fatmirësisht nuk janë regjistruar aksidente me pasoja, por vetëm rrëshkitje në rrugë me dëme të vogla materiale.
Izolohet Malësia e Madhe
Situata tepër e vështirë është edhe në Malësinë e Madhe. Në malin e Shoshit ka mbi 1 metër borë dhe aksi rrugor ndodhet i bllokuar. Sipas autoriteteve lokale, gjithë fshatrat janë të izoluara. Në shumë fshatra ka mungesë energjie, probleme dhe furnizimi me ujë.
Në Pukë, aksi rrugor Fushë Arrëz-Iballë dhe Pukë-Qelëz janë të pakalueshëm. Një person i sëmurë është bllokuar në fshatin Buhot të Pukës, pasi ambulanca nuk mund të mbërrijë në vendngjarje, sepse rruga e fshatit është e bllokuar nga bora. Burimet bëjnë me dije se ambulanca është nisur për të marrë të sëmurin, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por është bllokuar si pasojë e dëborës së madhe.
Në vendngjarje pritet të mbërrijë zjarrfikësja për të transportuar me mjete rrethanore të sëmurin. Për shkak të terrenit dhe largësisë ende nuk dihet kur ka shfaqur komplikacione i sëmuri, ndërsa në gatishmëri është edhe një helikopter.
Të afërm dhe banorë të fshatit kanë kërkuar ndihmën mjekësore për të sëmurin, por transporti i tij për në spital është i vështirë si pasojë e rrugës së bllokuar nga bora.
Një temperaturë rekord është shënuar në qytetin e Pukës. Ndërsa i ftohti siberian ka pllakosur mbi Shqipëri, autoritetet lokale thonë se gjatë mbrëmjes termometri ka shënuar -17°C.
Një person i sëmurë është bllokuar në fshatin Buhot të Pukës, pasi ambulanca nuk mund të mbërrijë në vendngjarje, sepse rruga e fshatit është e bllokuar nga bora.
Zero ndihma për bashkitë e fituara nga e djathta
Situata më e rënduar nga bora dhe ngricat është në Verilindje, në ato bashki ku ka fituar e djathta. Në Tropojë, Kukës, Shkodër, si dhe në Pogradec janë me dhjetëra fshatra të izoluar nga bora si dhe akse rrugore të bllokuara, por qeveria nuk ka dhënë asnjë ndihmë për përballimin e situatës. Mijëra qytetarë ndodhen të izoluar dhe në mëshirë të fatit. Ata janë të dënuar nga Rama të mos marrin asnjë ndihmë vetëm pse bashkitë drejtohen nga e djathta dhe jo nga partia e tij.
Në këto ditë të vështira, këta njerëz të bllokuar në mes të borës dhe të ftohtit acar kanë nevojë për ushqime e ilaçe, por askush nga qeveria nuk i kthen sytë nga ta. Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për Partinë Socialiste se në të kundërt qeveria nuk do të jepte asnjë ndihmë dhe asnjë investim. Dhe këtë premtim, ai po e mban më së miri, duke i lënë pa asnjë ndihmë banorët e izoluar nga bora në Verilindje.
Verilindja është e ngrirë nga acari. Në shumë fshatra mungon energjia elektrike dhe kjo situatë e bën edhe më të papërballueshme situatën për banorët dhe qindra e mijëra familje të izoluara e të braktisura nga shteti.
Kryetari i Bashkisë së Bajram Currit deklaroi dje se i kishte kërkuar disa herë qeverisë që të dërgonte ndihma për të përballuar situatën, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Ndonëse i ishte premtuar një fadromë nga Ministria e Mbrojtjes për të pastruar rrugët nga bora, dhe kjo nuk i është dërguar.
Ndërsa banorët në Verilindje ndopdhen të izoluar dhe pa asnjë ndihmë, paratë e mergjencave përdoren nga Rama dhe ministrat e tij për mobilimin e zyrave dhe luksin e shfrenuar të tyre. Vetë Rama ka punësuar në Kryeministri dhjetëra militantë për të bërë propagandë në rrjetet sociale për “aarritjet“ e qeverisë së tij dhe për të sulmuar portalet që kritikojnë qeverinë. Minstrja e Mbrojtjes ka harxhuar 45 milionë lekë vetëm për WC-në e saj në Ministri, pa përmenduar miliona lekë që i ka shpërdoruar për udhëtime jashtë shtetit me avion, ndërsa nuk dërgon një fadromë në Tropojë për të pastruar borën në akset e bllokuara.
Qeveria e ka për detyrë të ndihmojë banorët në nevojë dhe t’u qëndrojë pranë atyre në ditë të vështira edhe nëse shumica nuk ka votuar për Ramën, por hakmarrja primitive i ka zënë sytë kryeministrit, duke i lënë këta qytetarë në mëshirë të fatit. Duke humbur çdo shpresë tek qeveria, këta banorë janë bashkuar me njëri-tjetrin për të përballuar vetë situatën me ndihmën e drejtuesve të bashkive. Drejtuesit e këtyre bashkive janë vënë në ballë të punëve, duke vënë në dispozicion të banorëve të gjitha mjetet qoftë edhe ato të privatëve për rastet emergjente.
Sot temperaturat minus 20 °C
Sot pritet që temperaturat të jenë tepër të ftohta. Shërbimi i Emergjencave Civile thotë se, temperatura ekstreme pritet të shkojë deri në -21°C në zonat malore në vendet e ulëta deri në -9 °C.
Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:
Në vendet malore: Temperaturat minimale do të zbresin deri në -21°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -9°C.
Në vendet e ulëta: Temperaturat minimale do të zbresin deri në -9°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C.
Në bregdet: Temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 0°C.
Minus 20 gradë në Kukës
Në Kukës dje është shënuar dita më e ftohtë e këtij viti. Dje në mesditë temperaturat shënuan minus 14 gradë, ndërkohë që gjatë natës kanë variuar deri në minus 20 gradë celsius. Stuhitë e dëborës po krijojnë probleme në qarkullimin e mjeteve. Dhjetëra akse të rrugëve bllokohen edhe pse hapen herë pas here nga mjetet borëpastruese.
Rruga e “Kombit” është e kalueshme vetëm me përdorimin e zinxhirëve, ndërkohë që janë shfaqur problematika gjatë emergjencave mjekësore në disa zona si në Shtiqën, Surroj, Bicaj etj, të cilat janë zgjidhur me vështirësi për shkak të kushteve të motit.
R.POLISI