Kryebashkiaku i Pukës dhunon shefin e shtabit të fushatës së PD

Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni, ka ushtruar dhunë ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme ku kryebashkiaku i Pukës, ka urdhëruar shkatërrimin e biznesit të Hysenit për motive politike. Me urdhër të Gjonaj, forcat e Policisë së Rendit dhe të Policisë Bashkiake ka rrethuar lokalin e kreut të fushatës së PD, Demir Hyseni dhe më pas kanë shkatërruar karrigen dhe pajisjet e tjera.
Bëhet e ditur se policia ka ushtruar dhunë ndaj Demirit dhe ka marrë me forcë të gjitha karriget dhe tavolinat që ndodheshin në lokalin e tij. Policia Bashkiake ka pretenduar se karriget dhe tavolinat janë marrë nga lokali për shkak se është zënë hapësira publike, por në lokalet e tjera nuk është ndërmarrë një aksion i tillë.
Dhuna dhe terrori ndaj shefit të shtabit të fushatës së Partisë Demokratike të Pukës, Demir Hyseni, është ushtruar për motive politike. Pas nisjes së fushatës zgjedhore, Hyseni është kërcënuar vazhdimisht nga trafikantët e drogës që të mos bëjë fushatë për Partinë Demokratike.
Frika e humbjes së zgjedhjeve ka tërbuar PS-në atje dhe të dërguarin e Ramës, Dimir Bushati. Bushati i Ramës ka angazhuar trafikantët e drogës për të bërë fushatë për Partinë Socialiste. Prej vitit 2015, Puka u shndërrua në një nga zonat më të mëdha për kultivimin e drogës. Zonat më të prekura ishin ato të Gjegjanit dhe Qelës, për shkak dhe të burimeve ujore. Me ndihmën e policisë, këtu bëhej dhe një luftë e diferencuar, ku aksionet përqendrohen në parcelat e qyqarëve pa përkrahje politike, por nuk prekeshin parcelat e personave që kishin lidhje me kupolën e pushtetit.
Në vitin 2016, Puka do të renditej e dyta për sipërfaqen e mbjellë dhe aksi Pukë-Fushë-Arrëz-Gjegjan mund të konsiderohej dhe si trekëndëshi i drogës. Në magazinat e mbushura për tharje me gjithë denoncimet, policia nuk do të ndërhynte asnjëherë. Ishin të përfshirë të gjithë, policia, pushteti lokal dhe të gjithë të tjerët, që merrnin fitime nga ky aktivitet kriminal. Për banorët e Pukës, një nga zonat më të varfëra të Shqipërisë, ky realitet nuk do të ndryshonte asgjë. Ndaj tyre u shtua represioni, qoftë për energjinë, qoftë për taksat e tjera. Ata që pasuroheshin janë pikërisht këta që sot ndihmojnë Ditmir Bushatin dhe Ramën në fushatë, duke shtuar akoma më shumë varfërinë e njerëzve atje.

Reagon PD: Gjon Gjoni të vihet para ligjit

Partia Demokratike ka reaguar ashpër për dhunën e ushtruar nga kryetari i Bashkisë së Pukës, ndaj kreut të fushatës së PD, Demir Hyseni, duke i kërkuar qeverisë dhe autoriteteve të vendosin para përgjegjësisë ligjore Gjon Gjonin.
Në njoftimin për shtyp të PD thuhet se, Partia Demokratike dënon dhunën e ushtruar nga kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni dhe veglat e tij, ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni. “Demir Hyseni ka qenë vazhdimisht nën presionet dhe kërcënimet e kryetarit të Bashkisë Pukë, që është në fakt një mercenar i Frrokut, por sot, me nisjen e fushatës elektorale, është bastisur dhe dhunuar prona e funksionarit demokrat.
Pa marrë në konsideratë dokumentacionin e Hysenit që tregon ligjshmërinë e aktivitetit të tij, kryetari i Bashkisë së Pukës, ka urdhëruar shkatërrimin e biznesit të Hysenit thjesht për motive politike”, thuhet në njoftimin e PD.
Partia Demokratike i kërkon qeverisë dhe autoriteteve të ndërhyjnë menjëherë dhe të vënë para përgjegjësisë ligjore kryetarin e Bashkisë Pukë, dhe çdo polic që është bërë pjesë e urdhërave të paligjshëm dhe politik.

Nard Ndoka: Si u dhunua shefi i shtabit të fushatës së opozitës

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka postuar një video në Facebook, ku shihet se si është bastisur lokali i shefit të shtabit të fushatës elektorale të opozitës nga policët bashkiakë dhe ata të rendit.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ndoka akuzon Gjon Gjonin, se po vazhdon të ushtrojë dhunë fizike ndaj aktivistëve dhe drejtuesve të opozitës edhe në njësi të tjera administrative. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka kërkon shkarkimin e kreut të Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni.
“Dhunohet lokali i shefit të shtabit elektoral të ‘Opozitës së Bashkuar’, zoti Demir Hyseni, në qytetin e Pukës. Me urdhër të Kryetarit të Bashkisë Pukë, Gjoni Gjoni, Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit bastisin lokalin, pa paraqitur asnjë dokument.
Terrori politik i ushtruar nga Kryetari i Bashkisë Pukë, po vazhdon edhe në njësi të tjera administrative, duke dhunuar edhe fizikisht aktivistë dhe drejtues të opozitës.
I kërkojmë Kryeministrit Rama, shkarkimin e Kryetarit Bashkisë Pukë, zotin Gjon Gjoni, mbasi ka shkelur ligjin dhe ka ushtruar presion dhe dhunë mbi drejtuesit e aktivistët e Shtabit Elektoral të opozitës”, shkruan Ndoka.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ku me urdhër të kryebashkiakut të Pukës, Gjon Gjoni, Policia Bashkiake bastis lokalin e shefit të degës së PD-së në Pukë, pa asnjë dokument. Për këtë ngjarje reagoi edhe Partia Demokratike, duke i kërkuar qeverisë dhe autoriteteve të vendosin para përgjegjësisë ligjore Gjon Gjonin.

Enton DOÇI

Artikulli paraprakKryetari i PS Kavajë, drekë me dy trafikantët e drogës
Artikulli tjetërRefuzoni mashtrimet e Ramës, hidhjani në fytyrë tesesat LSI-së