Kryebashkiaku i Vorës: Bashkia e Tiranës dhe palmat përmbytën autostradën

Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, përgënjeshtroi ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se ai kishte braktisur qytetarët. Ai akuzoi direkt Bashkinë e Tiranës dhe mbjelljen e palmave si shkaktare të përmbytjes së biznesvee në zonën e autostradës. Për Ismailin, arsyeja e kësaj përmbytjeje ka të bëjë me bllokimin e kanalave kulluese të autostradës nga mbjellja e palmave.
Duke vizituar një nga zonat problematike, tek liqeni i Marikajt, zoti Ismaili tha se, Bashkia e Vorës është në krye të detyrës.
Kryebashkiaku i Vorës tha se, bizneset në territorin e saj, përgjatë autostradës, janë përmbytur për dy arsye, për të cilat është përgjegjëse Bashkia e Tiranës.
Arsyeja e parë është shkarkimi pa paralajmërim nga liqeni i Kasharit.
Arsyeja e dytë është bllokimi i kanaleve kulluese nga mbjellja e palmave prej Bashkisë së Tiranës.
Mbjellja e palmave kushtoi 600 mijë euro, por dëmi i tyre është i disafishtë. Për zëvendësimin e tyre jo vetëm do të shpenzohen edhe 2.5 milionë euro të tjera, por prej tyre është shkatërruar autostrada Tiranë-Durrës, si dhe qindra biznese.
Kryebashkiaku i Vorës tha se është përgjegjësi e pushtetit qëndror mospastrimi i kanaleve anash autostradës.
“Bashkia e Vorës është në krye të detyrës dhe po kryen të gjitha funksionet e saj. Nga informacionet që kemi, në lidhje me përmbytjet që kanë ndodhur tek City Park, tek Mercedes-i, tek Qafa e Kasharit, kanë ardhur si arsye e bllokimit të kanaleve që administrohen nga Bashkia e Tiranës. Ato kanale të mos zihen me palma, siç janë zënë aktualisht, por kanalet të jenë të pastruara dhe uji të shkojë në pjesën e vet. Kemi informacione që edhe liqeni i Kasharit është hapur nga reshjet e dendura të shiut, duke krijuar këtë situatë”, tha Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili.
Bashkia e Vorës ka hartuar një plan të detajuar veprimi për të menaxhuar situatën e krijuar.

Dëmi i shkaktuar një vit më parë 10 milionë dollarë

24 orë shi i pandërprerë kanë bërë që vendi të gdhihet nën pushtetin e ujit, sidomos në zonën qendrore dhe atë jugore. Shumë rrugë të pakalueshme, lumenj të dalë nga shtrati, fshatra të përmbytur dhe banorë në vështirësi e të evakuuar është panorama e këtij mëngjesi të jashtëzakonshëm. Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, Ushtria, Zjarrëfikësit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, Operatori i Shpërndarjes kanë punuar intensivisht për të menaxhuar problemet e krijuara nga reshjet e dendura. Një elektriçist humbi jetën në krye të detyrës. Shkollat u mbyllën. Mbi 300 persona u evakuuan gjatë natës.
Situata më e rënduar ishte në Autostradën Tiranë-Durrës, e cila që prej mbrëmjes së djeshme u bë e pakalueshme për shkak të vërshimit të ujit, duke bllokuar dhjetëra makina, teksa uji vërshoi dhe në bizneset aty pranë, përfshirë dhe qendrën tregtare City Park, ku u bllokuan dhjetëra vizitorë.

Kronika e një përmbytjeje të paralajmëruar

Në zonën e Autostradës mes Tiranës dhe Vorës u përsërit pikë për pikë historia e 8 nëntorit të një viti më parë, kur ujërat vërshuan me rrëmbim brenda pak minutash, duke përmbytur shumë biznese të zonës dhe duke shkaktuar dëme që u vlerësuan nga sipërmarrësit në 10 milionë euro.
Sipërmarrësit, që në atë kohë krijuan Bashkimin e Bizneseve Vorë-Tiranë, bënë thirrje që të merreshin masa që të mos përsëritjet e njëjta situatë. Ata kërkuan marrjen e masave urgjente për rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen. Për këtë kërkuan që në mënyrë urgjente të fillojë pastrimi dhe rehabilitimi i gjithë infrastrukturës së ujërave dhe aksesi i bizneseve (kanalet kulluese, përroi i Kasharit, nënkalimi i Kasharit, kanalet ujore nën trasenë e autostradës në këtë segment, deri në derdhjen e tyre në lumë etj).
Në atë kohë, ata fajësuan hapjen e rezervuarëve për përmbytjen e menjëhershme. “Duke pasur parasysh që çdo gjë ndodhi në vetëm 5 minuta, do të kërkonim asistencën tuaj në zbardhjen e shkakut të kësaj përmbytjeje. Sipas vlerësimit tonë, përmbytja nuk është shkaktuar nga reshjet natyrore, por si pasojë e hapjes së portave të rezervuarëve të zonës (liqeni Gjokaj, Picar dhe Rezervuari Kashar)”, thuhej në një shkresë që iu dërgua autoriteteve.
Një tjetër problem ishte ai i menaxhimit të baseneve. Që nga dhjetor 2015, infrastruktura e ujitjes dhe kullimit, personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit ka kaluar nga Ministria e Bujqësisë te Bashkitë, në territorin e të cilave është vendndodhja e tyre. Si rrjedhojë, bashkitë janë përgjegjëse për administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të tyre, sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe sigurinë e digave të rezervuarëve që përdoren për ujitje dhe që u janë transferuar bashkive. Por kjo rritje e kompetencave të bashkive, në kuadër të reformës së re territoriale, ka rezultuar problematike.
Kanalet nën autostradë, thanë në atë kohë sipërmarrësit, janë të bllokuara apo dhe të zaptuara, ndërsa dhe mbjellja e palmave në zonën Kashar-Laprakë është shoqëruar me ngushtim të kanaleve kulluese.
Ka kaluar fiks një vit nga ajo përmbytje dhe një tjetër, akoma më e rëndë, ndodhi. Do të duhet të kalojnë ditë që të qartësohet situata, të gjenden shkaqet (nëse hapja e digave të rezervuarëve e ka rënduar përmbytjen dhe nëse menaxhimi i digave ka funksionuar normalisht) dhe të llogariten dëmet. Por, në një pamje të parë është e qartë se pak gjëra kanë ndryshuar dhe pak masa, (si ajo e hapjes së kanalit përballë me City Park), janë marrë për të menaxhuar një situatë të tillë. Me përjashtim të një vendimi të Bashkisë Tiranë, për të zëvendësuar palmat e thara në dy krahët e autostradës me pisha dhe një sistem ujitjeje shiu artificial!!!

City Park: Këtë herë dëmet janë më të mëdha, na thanë se u hap diga

Burime nga City Park thanë për “Monitor” se, dëmet janë më të mëdha se një vit më parë.
“Na thanë që janë hapur digat, por nuk e dimë të saktë”, pohuan drejtues të City Park, duke shtuar se kemi të bëjmë me një situatë më të vështirë se vjet në nëntor.
“Shumë klientë mbetën të bllokuar në Citypark dhe askush nuk bëri asgjë dhe për më tepër as për punonjësit e fabrikës”.
Ndërsa energjia u kthye vetëm në ora 2 pas mesnate. Sot në mëngjes oborri i City Park i ngjante një vendi lufte me makina të mbushura me baltë, po ashtu dhe kati i parë i ndërtesës.

Exit mobile version