Kryebashkiakut Erion Veliaj iu është shtuar një akuzë e re nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Erion Veliajt iu është komunikuar nga prokurorët e posaçme akuza për futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit.
Kryebashiaku i Tiranës akuzohet edhe për veprat penale pastrim parash dhe korrupsion.
Erion Veliaj ka dalë përkohësisht nga paraburgimi i Durrësit ditën e sotme (20 Mars) dhe është dërguar në Prokurorinë e Posaçme ku mësohet se ka dhënë shpjegime për hetimet ndaj tij.
Seanca e marrjes në pyetje e kryebashkiakut Veliaj, në cilësinë e personit nën hetim, ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta dhe më pas është dërguar sërish drejt Durrësit.
Marrja në pyetje e Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej 10 Shkurtit, është bërë në prani të avokatëve të tij Ermir Beta dhe Artur Selmani.
Shkarkimi i kryetares së komanduar
Erion Veliaj, me një shkresë të firmosur më datën 18 Mars, ka shkarkuar Anuela Ristanin nga funksioni i kryetares në detyrë të Bashkisë Tiranë.
Erion Veliaj, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, ia ka deleguar këtë detyrë nënkryetares Sara Goxhaj.
“URDHËROJ: Znj. Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shkruhet në dokument.
“Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë”, shprehet Veliaj.
Postin e kryebashkiakut në detyrë të Tiranës e mbante nënkryetarja Anuela Ristani, të cilës Erion Veliaj i delegoi firmën pas arrestimit të tij më 10 Shkurt.
Vendimi u mor në prani të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Këshillit Bashkiak, pasditen e 11 shkurtit.
SHKRESA
“DELEGIMIT E DETYRAVE TË KRYETARIT” BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 8 pika 2, neni 59 pika “I”, pika “3” të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të neneve 22, 28 dhe 29 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Rregullores me nr. 46111 datë 29.12.2022 për “Miratimin, Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Strukturave të Institucionit të Bashkisë Tiranë”,
URDHËROJ:
- Znj. Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
- Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.
- Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet.
- Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit me Qytetarët, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe njoftohet në stendën e afishimeve publike të Bashkisë Tiranë.
KRYETARI Erion Veliaj